Muzikë

Ndërron jetë në moshën 31-vjeçare ylli i Youtube-it, Jamal Edwards


Sipërmarrësi dhe ylli i YouTube-it, Jamal Edwards, ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare.

Ai ishte themeluesi i SBTV-së, platformë muzikore urbane në internet, e cila ka ndihmuar në nisjen e karrierës së artistëve si Dave, Ed Sheeran dhe Skepta.

Edwards, i lindur në qytetin britanik Luton, ishte një figurë pioniere në muzikën rap , tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Ai u bë ambasador i Prince’s Trust, një shoqatë bamirësie për të rinjtë e drejtuar nga Princi i Wales-it që ndihmon të rinjtë të krijojnë kompanitë e tyre.

Në fillim të këtij muaji, Edwards mori pjesë në Brit Awards dhe u mësua se kishte performuar si DJ në një koncert në veri të Londrës të shtunën mbrëma.

Për vdekjen e tij ende nuk janë dhënë detaje, përveçse informacionit se ka ndodhur mëngjesin e së dielës.

Edwards ishte djali i këngëtares dhe prezantueses së Loose Women, Brenda Edwards. Fillimisht nisi të bënte filma pasi prindërit i dhanë një kamerë si dhuratë për Krishtlindje kur ai ishte 15 vjeç.

Pas lajmit të trishtë, Brenda Edwards ka thënë se ishte “plotësisht e shkatërruar”.

Edhe kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, ka shkruar në platformën Twitter se muzika dhe argëtimi britanik “ka humbur një nga yjet e saj më të ndritshëm”.

Në një intervistë të vitit 2013, ai ka treguar se filmonte miqtë duke kënduar dhe kështu nisi t’i ngarkonte videot në YouTube për t’i lejuar miqtë e tjerë t’i shihnin.

Ndërsa platforma e tij SBTV, me bazë në Londër, u ngrit për zbulimin e artistëve të rinj dhe aktualisht është rritur në 1.22 milionë abonentë në YouTube.

Në platformë janë shfaqur video të hershme muzikore nga artistë si J Hus, Emeli Sande dhe Stormzy dhe dhjetëra britanikë të tjerë që nuk kanë qenë gjerësisht të njohur asokohe.

Kur profili i vetë Edwards u rrit, ai hyri në botën e modës, duke ecur në pasarelë për Hermes, duke u bërë pjesë e një koleksioni për Kurt Geiger dhe duke pozuar për Primark në mënyrë që të shfaqte besimin se “moda e përballueshme është e rëndësishme”.

Gjithashtu ka shkruar një libër nën titullin “Besimi në Vetvete”. Ai është përshkruar si një përzierje e kujtimeve dhe një manuali biznesi.

Edwards ka themeluar edhe JE Delve, një shoqatë me klube rinore, si dhe mundësi mësimi dhe pune për të rinjtë në Londër.

Ai realizonte rregullisht vizita për të folur me adoleshentët, duke përfshirë edhe ato në shkollën e mesme Acton dhe në Kolegjin West London ku kishte studiuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore