Shqipëria

Ndërron jetë ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, politika shqiptare shpreh ngushëllimet: Avokat i integrimit të Shqipërisë në BE


Presidenti i Republikës së Sqhipërisë, Ilir Meta, të enjten e 10 shkurtit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, Eduart Kukan.

“I pikëlluar nga humbja e një miku të dashur dhe avokati të palodhur të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, Eduard Kukan”, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Më tej Meta thekson e cilëson atë si promotor i demokratizimit të plotë të vendit tonë.

“Kontributi i tij për forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona dhe mbështetja për integrimin evropian do të mbetet i paharruar”, vijon Meta duke përmbyllur postimin.

Po ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kukan.

“Eduard Kukan, një mik i mirë i Shqipërisë, të cilit i jemi thellësisht mirënjohës për diplomacinë e tij të mençur dhe mbështetjen për integrimin tonë evropian”, shkruan Xhaçka në median sociale Twitter.

Lajmin për vdekjen e Kukan-it e dha mëngjesin e kësaj dite Ministria e Jashtme sllovake.

Përveçse ministër i Jashtëm i Sllovakisë, ai ka qenë edhe deputet në Parlamentin Evropian.

“Vendimet e tij bënë të mundur anëtarësimin e Sllovakisë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhej në postimin e Ministrisë së Jashtme sllovake.

Kukan ka qenë një nga mbështetësit e Shqipërisë në Parlamentin Evropian, kryetar i Grupit të Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së për Ballkanin Perëndimor dhe shpesh pjesë e delegacioneve ndërkombëtare që ndërmjetësonin krizat e politikës shqiptare.

Ai ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore