Ndërprerja e energjisë, OST: Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë, shkak temperaturat

Brixhilda Xhuraj
21.06.2024 13:30
Loading Icons...

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka reaguar pas ndërprerjes së energjisë elektrike në Tiranë dhe rrethe.

Sipas, OST defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë.

Aty theksohet se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kanë qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.

Pas ndërprerjes, është rikthyer energjia elektrike në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit ku kishte probleme.

“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit. Nga kryqja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit”.

OST thotë se merr masa për rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorëve.

Çfarë ndodhi?

Këtë të premte të 21 qershorit Shqipëria është përballur me ndërprerje të energjisë elektrike në shumicën e qyteteve.

Nga raportimet paraprake Albanian Post mëson se Tirana, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Kukësi, Lezha, Saranda dhe Shkodra janë pa energji elektrike.

Vlen të theksohet se kjo është parashikuar si dita më e nxehtë e qershorit, ku temperaturat do të arrijnë në 41 Gradë Celsius.

Ndërkaq, edhe  Mali i Zi ashtu si Shqipëria ka mbetur pothuajse pa energji elektrike.

“Pothuajse e gjithë zona e Malit të Zi është pa energji elektrike për shkak të ndërprerjeve të rrjetit”, njoftoi Sistemi i Shpërndarjes Elektrike Malazeze (CEDIS).

CEDIS tha se energjia u ndërpre për shkak të një ndërprerjeje në rrjetin e Sistemit të Transmetimit Elektrik të Malit të Zi (CGES).

Siç raportojnë mediat rajonale, një pjesë e konsiderueshme e Bosnjë-Hercegovinës është pa energji elektrike.

Të fundit

Aktuale