Bota

Ndërkombëtarët dënojnë arrestimin e Navalny-t


Arrestimi i opozitarit rus, Alexei Navalny, pas mbërritjes së tij në Moskë, ka nxitur edhe reagimet e ndërkombëtarëve. Fuqitë e mëdha kanë dënuar aktin e Kremlinit dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u shpreh i shqetësuar për arrestimin e Navalny-t. Ai nuk kurseu mesazhet për presidentin Vladimir Putin. “Liderët politikë me vetëbesim, nuk kanë frikë nga zërat opozitarë. Ata nuk kryejnë akte dhune apo arrestime të figurave opozitare politike”, shkruan Pompeo në Twitter.

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, shkruan se “është pikëlluese që Alexei Navalny pësoi një krim të tillë”. “Duhet të lirohet menjëherë”, shton Raab-i. “Në vend që Rusia të persekutojë Navalny-n, duhet të shpjegojë si është e mundur që në territorin rus, u përdor ai agjent kimik i ndaluar”.

E ka dënuar aktin edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Arrestimi i politikanë opozitarë bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Rusisë. Navalny duhet liruar menjëherë”, shkruan ajo.

“Arrestimi i Alexei Navalny-t është i pakuptueshëm”, shkruan Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. “Rusia ka detyrim të zbatojë konventën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Navalny duhet të lirohet menjëherë”.

Reagime ka pasur nga të gjithë eksponentët e lartë ndërkombëtarë. Të gjithë e kanë dënuar arrestimin e Navalny-t.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i shtypit i Putin-it, shkruan: “Më falni, u arrestua gjë në Gjermani Navalny? Nuk jam i përditësuar”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, replikoi në distancë me homologët e tij.

 “Komentet që po vijnë janë kopje e njëri-tjetrit. Ndoshta mendojnë të shkëpusin vëmendjen nga kriza që kanë brenda vendeve të tyre, duke e çuar atë drejt Rusisë”.

Alexei Navalny u arrestua të dielën e 17 janarit. Në më pak se 24 orë, atij iu komunikua masa me burgim për 30 ditë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore