Kosova

Nderime për viktimat e masakrës së Reçakut


Të premten, krerët e partive të Kosovës, përkujtuan masakrën në Reçak, të komunës së Shtimës. 22 vite më parë, u masakruan 45 civilë shqiptarë, nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi memorialin e viktimave të masakrës së Reçakut. Ai tha se liria ka emër, ka Reçakun dhe Prekazin.

“Ka varret dhe vuajtjet, dhimbjet e të gjithë atyre që me të dashurit i kanë lënë në themel të lirisë”.

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë vizitës së tij në memorialin e viktimave të masakrës së Reçakut, deklaroi se “viktimat e kësaj masakre nuk do të prehen të qetë asnjëherë, përderisa nuk u dënua askush për krimin e kryer”. Sipas tij, drejtësia ndonjëherë vonon, por do të vijë dita kur do të vendoset.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, bashkë me presidenten e Kosovës në detyrë, Vjosa Osmani, bënë homazhe në Kompleksin Memorial, në Reçak.

Ata theksuan faktin, se pa u vendosur drejtësia për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme. Bota duhet të kthejë sytë nga krimet që janë bërë kundër njerëzimit.

Të enjten, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe njoftuan se do të garojnë në një listë të përbashkët, në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës, më 14 shkurt. Bazuar në këtë marrëveshje, Kurti do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Osmani për presidente.

Gjithashtu edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përkujtoi masakrën e Reçakut, përmes një postimi në median sociale Twitter. Ai rikonfirmoi angazhimin për të siguruar drejtësi, në nder të viktimave të kësaj masakre.

Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë, e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore