Shqipëria

Ndalohen fluturimet bjelloruse në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut


Të gjitha fluturimet bjelloruse janë ndaluar të kalojnë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, sipas një vendimi të marrë më 4 qershor, nga Këshilli Evropian (KE).

Me arsyen për të forcuar masat kufizuese ndaj Bjellorusisë, këto katër vende kandidate për integrimin në Bashkimin Evropian, u dakordësuan me KE-në për ndalimin e këtyre fluturimeve.

Po ashtu, vendet si Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe anëtarët e EEA-së kanë mbështetur vendimin.

Më 24 maj, një fluturim i Ryanair, që udhëtonte nga Greqia në Lituani u devijua dhe u detyrua të ulej në Minsk për disa orë. Oficerët e Bjellorusisë hynë në aeroplan dhe arrestuan Roman Protasevich, një gazetar kritik të regjimit të Lukashenkos.

Më 25 maj, kanalet pro-qeveritare në Bjellorusi postuan një video të Protasevich, ku ai rrëfeu akuzat kundër tij për “komplotin e trazirave”.

Ndërsa Protasevich, gjithashtu, tha se ai po trajtohej “në mënyrë të ligjshme”, ka shqetësime serioze se rrëfimi i tij ishte detyruar. Babai i Protasevich foli për Reuters, pas publikimit të videos, duke deklaruar se djali i tij dukej i rrahur dhe hunda e tij dukej e thyer.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar dënuan me forcë devijimin e fluturimit nga autoritetet bjelloruse dhe arrestimin e Protasevich.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se, “BE nuk do të tolerojë që dikush mund të përpiqet të luajë një ruletë ruse me jetën e civilëve të pafajshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore