Shqipëria

Ndalimi i vizave për subjekte ekstremiste në Ballkanin Perëndimor? – Flasin nga BE për Albanian Post


Flamuri i Bashkimit Evropian

E përditshmja evropiane Euobserver doli të enjten me një lajm ekskluziv se Bashkimi Evropian po konsideron ndalimin e vizave për subjekte ekstremiste në Ballkanin Perëndimor, por nga zyra për media e Komisionit Evropian i kanë thënë Albanian Post-it se “nuk jemi në dijeni për diskutime rreth ndalimit të vizave në këtë kontekst”.

Gazeta raportonte se bëhet fjalë për subjekte ekstremiste të krahut të djathtë, pa specifikuar më shumë në këtë drejtim.

Sipas gazetës që shkruante se ka parë edhe një memorandum të hartuar nga presidenca e re çeke e Bashkimit Evropian, aty thuhej se “shumë lëvizje të ekstremit të djathtë në Ballkanin Perëndimor kanë një neveri të fortë ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

Por, në përgjigjen me shkrim nga Komisioni Evropian për Albanian Posst, konstatohet se nuk është që në BE aktualisht po diskutohet veçanërisht për grupe të tilla, përkundër se edhe ato janë pjesë e strategjisë së përgjithshme të sigurisë.

“Më në përgjithësi, mund të shtojmë se ne po punojmë me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në adresimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit brenda Planit për Veprim të Përbashkët Kundër Terrorizimit. Kjo përfshinë të gjitha format e ekstremizmit, edhe atij të ekstremit të djathtë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të KE-së për AP-në.

Ndryshe, Euobserver, gazeta me bazë në Bruksel, shkruante se në të kaluarën, shqetësimet e BE-së përqendroheshin rreth luftëtarëve të huaj xhihadistë që ktheheshin në rajon nga Lindja e Mesme.

Por lufta në Ukrainë ka bërë që “disa ndjekës vendas të ekstremit të djathtë të luftojnë në konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë, me shumë gjasa në anën ruse”.

Të gjitha këto, sipas gazetës, ishin diskutuar edhe në memorandumin çek.

Në memorandum, shkruan gazeta, paraqitet një tablo komplekse e problemit, i cili përfshin “tifozët radikalë të futbollit, ose ndjekësit radikalë të lëvizjeve të ndryshme pansllaviste, nacionaliste”.

“Shpesh është shumë e vështirë të bëhet dallimi midis ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në memorandum.

Disa grupe, si Blood and Honor dhe Combat 18, që sulmojnë emigrantët dhe të huajt në përgjithësi, janë gjithashtu “ende aktive”.

Dhe të marra së bashku, ato krijojnë një “kërcënim në rritje për rajonin” si dhe për sigurinë e brendshme të BE-së.

“A keni vënë re ndonjë lidhje në shtetet anëtare të BE-së midis ekstremistëve të djathtë “lokalë” dhe ekstremit të djathtë të Ballkanit Perëndimor?”, pyeti presidenca çeke vendet anëtare.

“A ka ndonjë shenjë të ndikimit në rritje nga organizatat e ekstremit të djathtë të Ballkanit Perëndimor në diasporën ballkanike në vendet anëtare?”, shtohet aty.

Në memorandum thuhej se xhihadistët ende përbënin kërcënimin më të madh për sa i përket humbjeve në shkallë të gjerë të jetëve.

Por aty vihet në dukje se sulmet “etno-nacionaliste”, edhe nëse ato ishin në një shkallë më të vogël, rrezikonin përkeqësimin e paqëndrueshmërisë politike në një rajon që jo shumë kohë më parë luftoi një sërë konfliktesh të përgjakshme etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore