Film

Ndahet nga jeta kompozitori i famshëm grek, Mikis Theodorakis


Mikis Theodorakis - Kompozitor grek

Mikis Theodorakis, kompozitori i famshëm grek, i njohur për muzikën e filmit “Zorba the Greek” është ndarë nga jeta në Athinë, në moshën 96-vjeçare.

Kompozitori Theodorakis ishte pjesë e rezistencës ndaj pushtimit nazist të Greqisë në Luftën e Dytë Botërore. Më pas, ai shërbeu si deputet.

Mikis Theodorakis.

Ai ishte gjithashtu një figurë udhëheqëse, që kundërshtonte sundimin ushtarak në Greqi mes viteve 1967-1974.

Në filmin “Zorba the Greek” tregohet historia e një shkrimtari anglez në Kretë, jeta e të cilit ndryshon kur takon një fshatar të quajtur, Alexis Zorba.

Skena kur Zorba kërcen zbathur në plazh u bë një imazh popullor i kulturës greke. Tema nga filmi, i cili fitoi tre çmime “Oscar”, mbetet ndoshta pjesa më e famshme e muzikës greke në më shumë se gjysmë shekulli më vonë.

“Sot kemi humbur një pjesë të shpirtit të Greqisë. Ai i bëri të gjithë grekët të këndojnë poezi”, shkroi në Twitter ministrja e Kulturës së Greqisë, Lina Mendoni.

Mes të tjerash, Theodorakis shkroi muzikën e filmit “Serpico” (1973) dhe një cikël këngësh të quajtur “Trilogy Mauthausen”, me tekste të bazuara në poezitë e një të mbijetuari nga kampi i përqendrimit.

Kënga “Antonis”, e cila ishte e kompozuar po nga Mikis, u bë e njohur për afganët. Ajo u këndua nga banorët e Kabulit në vitin 2001, me anë të së cilës, afganët përshëndetën trupat e Aleancës Veriore kur hynë në qytet dhe dëbuan talebanët.

Mikis Theodorakis.

E njëjta këngë ishte tema e filmit të vitit 1969 – “Z”, kolona zanore e të cilit fitoi një çmim “Bafta” për “Muzikën më të Mirë të Filmit” në vitin 1970.

Filmi, i drejtuar nga Costa-Gavras, është një përshkrim i trilluar hollësisht i vrasjes së një politikani grek të krahut të majtë.

Vetë Theodorakis ishte për pjesën më të madhe të jetës së tij një majtist dhe nganjëherë një komunist, shkruan BBC.

Në vitin 1947, gjatë luftës civile që pasoi Luftën e Dytë Botërore, ai u arrestua dhe u torturua.

Korrespondenti i BBC-së, Kostas Kallergis, thotë se – “Theodorakis shprehu vullnetin për të luftuar kundër fashizmit dhe ndjenjën e lirisë që grekët ndienin pas rënies së juntës ushtarake në vitin 1974”.

Këngët e tij ishin gjithmonë thellësisht politike dhe ai u burgos në mënyrë të përsëritur, për shkak të besimeve dhe bindjeve të tij politike.

Theodorakis mbeti aktiv në politikë gjatë gjithë jetës së tij.

Në vitin 2010, u bashkua me protestat kundër masave shtrënguese, duke bërë thirrje për dëmshpërblime nga Gjermania për pushtimin e kohës së luftës.

Mikis Theodorakis gjatë një proteste në vitin 2010.

Ai gjithashtu foli kundër marrëveshjes që i jep fund mosmarrëveshjes 27-vjeçare mbi emrin e ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, që tani edhe zyrtarisht njihet si – Maqedonia e Veriut.

Protestat greke kundër shtetit të Maqedonisë së Veriut.

“Mikis Theodorakis u përkul drejt së djathtës në fund të vitit 1980 dhe madje shërbeu si ministër në një qeveri të krahut të djathtë, por ai ishte gjithmonë një figurë portreti për të gjithë grekët, të majtë dhe konservatorë”, thotë Kostas Kallergis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore