Lajme

Ndahet nga jeta Fikrije Ukelli – Ceka


Ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare, Fikrije Ukelli, për publikun e njohur si Ceka, e cila me anë të recetave të përjavshme që transmetonte në emisionin “Diçka po zihet” arriti të ishte ndër fytyrat më të dashura dhe më të ndjekura televizive.

Sipas koleges së saj, Xheraldina Vulës, me të cilën u shfaqën në ekran për 15 vjet me radhë, Ceka nuk ka mund t’i mbijetoj virusit COVID-19.

Ajo ishte e njohur për përkushtimin dhe pasionin në gatimin e recetave të ndryshme, të cilat i përgatiste me shumë finesë dhe dashuri.

Madje, Ukelli, punën e saj si kuzhiniere në prani të kamerave nuk e ndaloi as gjatë periudhës së pandemisë.

Ceka, kishte njohuri të mëdha në fushën e gatimit, dhe shpesh këtë fakt e tregonte duke gatuar edhe gjëra nga tradita, por edhe duke kombinuar dijen e saj me kulturat e të gatuarit në mes te Ballkanit, Evropës dhe botës.

“1000 receta për çdo familje” dhe “Receta me gatime tradicionale” janë dy librat në autorësi të Cekës, që përmbajnë receta dhe gatime nga më të ndryshmet.

Ndryshe, Ceka rrjedh nga një familje me traditë dhe ishte bashkëshorte e kirurgut për fëmijë, të ndjerit prof. dr. Hajredin Ukelli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore