Përballje

NBA/ Suns triumfojnë ndaj 76ers, pësojnë humbje Lakers, Warriors e Jazz


Tjetër xhiro interesante u zhvillua në ligën amerikane të basketbollit, NBA, ku pati rezultate befasuese.

Derbi ndërmjet Phoenix Suns dhe Philadelphia 76ers i takoi vendasve, të cilët arritën fitore me rezultat 114:104, pavarësisht se ata kanë siguruar tashmë vendin e parë në Konferencën Perëndimore.

Kamerunasi Joel Embiid ishte njeriu i mbrëmjes në këtë ndeshje, duke realizuar 37 pikë, 15 kërcime e tre asistime, ndërsa te 76ers lojë të mirë shfaqi Devin Booker, i cili mbylli ndeshjen me 35 pikë.

Ndërkohë, nuk ka këndellje për Los Angeles Lakers, të cilët pësuan humbjen e dytë radhazi, duke u mposhtur në udhëtim te New Orleans Pelicans me rezultat 116:108.

Ylli i Lakers, LeBron James, ishte më efikasi në këtë sfidë më 39 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, por nuk mundi ta evitojë humbjen për ekipin e tij.

Ndërsa te vendasit lojë të mirë shfaqi Brandon Ingram, i cili mbylli ndeshjen me 27 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.

Humbje në këtë xhiro pësuan edhe Golden State Warriors, të cilët u mposhtën në udhëtim te Washington Wizards me rezultat 123:115.

Jordan Poole me 26 pikë e gjashtë kërcime dhe Klay Thompson me 25 pikë e pesë kërcime ishin më të dalluarit nga ana e Warriors, ndërsa te Wizards më efikasi ishte Corey Kispert me 25 pikë.

Formë shumë të dobët po kalojnë edhe Utah Jazz, të cilët pësuan humbjen e katërt radhazi.

Jazz këtë radhë u mposhtën në udhëtim te Dallas Mavericks me rezultat 114:110, ku më meritori ishte slloveni, Luka Doncic, i cili realizoi 32 pikë, 10 kërcime e pesë asistime.

Charlotte Hornets arriti një fitore shumë të rëndësishme te Brooklyn Nets me shifrat 110:119.

Te Hornets u dallua LaMelo Ball me 33 pikë, shtatë kërcime e nëntë asistime, ndërsa te Nets si gjithmonë Kevin Durant ishte më i miri në parket me 27 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime.

Ndërkohë, kur jemi te forma e mirë, atë po e kalon Boston Celtics, të cilët arritën fitoren e gjashtë radhazi, duke u pozicionuar në vendin e parë të Konferencës Lindore.

Ata këtë radhë mposhtën Minnesota Timberwolves me rezultat 134:112, ku Jayson Tatum me 34 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime dhe Jaylen Brown me 31 pikë e 10 kërcime ishin më meritorët për këtë sukses.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore