Përballje

NBA/ Mposhten Lakers dhe Bulls, Warriors rikthehen te fitorja


Orët e hershme të mëngjesit të së hënës (me kohën tonë lokale) janë zhvilluar edhe nëntë takime në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Los Angeles Lakers është ndalur pas një serie prej katër fitoresh, teksa kanë pësuar humbje në shtëpi nga Memphis Grizzlies, me rezultat 119:127.

Ylli i mbrëmjes në këtë sfidë, ishte basketbollisti i Lakers, LeBron James, i cili shënoi 35 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime, por për fitore nuk mjaftoi vetëm paraqitja e mirë e James, pasi pjesa tjetër e skuadrës nuk ishin në nivel.

Ndërkohë, tek ekipi Grizzlies, basketbollisti më efikas ishte Desmond Bane që shtoi 23 pikë, derisa Jaren Jockson shtoi 21 pikë të tjera dhe kontribuoi me 12 kërcime.

Në ndeshjen tjetër, Chicago Bulls është ndalur prej një serie prej nëntë fitoresh radhazi, teksa u mposhtën në udhëtim te Dallas Mavericks, me rezultat 113:99.

Ndërkohë, edhe Mavericks po kalojnë momente të mira, për të cilët kjo ishte fitorja e shtatë radhazi.

Luka Doncic ishte fantastik në këtë ndeshje duke realizuar “triple-duble” për Mavericks, me 22 pikë, 14 kërcime dhe 14 asistime, derisa për Chicago Bulls u dallua DeMar DeRozan me 20 pikë e tetë asistime.

Ndërkaq, Golden State Warriors është rikthyer te fitorja pas dy humbjeve radhazi, të cilët mposhtën Cleveland Cavaliers me rezultat 96:82.

Më i dalluari në këtë sfidë, ishte ylli i Warriors, Stephan Curry, i cili shënoi 28 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime.

Rezultatet e ndeshjeve tjera të mbrëmjes në NBA:

Orlando Magic 100 – 102 Washington Wizards

Toronto Raptors 105 – 101 New Orleans Pelicans

Houston Rockets 123 – 141 Minnesota Timberwolves

Oklahoma City Thunder 95 – 99 Denver Nuggets

Portland Trail Blazers 103 – 88 Sacramento Kings

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore