Përballje

NBA/ Heat rikthehen te fitorja, mposhten Warriors dhe Celtics


Tjetër xhiro interesante u zhvillua në ligën amerikane të basketbollit, NBA.

Miami Heat është rikthyer te fitorja pas katër humbjeve radhazi, të cilët mposhtën Sacramento Kings me rezultat 123:100.

Jimmy Butler ishte më i dalluari në këtë sfidë me 27 pikë, pesë kërcime e shtatë asistime, derisa te Miami lojë shumë të mirë shfaqi edhe Bam Adebayo me 22 pikë e 15 kërcime.

Ndërsa te Sacramento u dallua Davion Mitchell, i cili mbylli ndeshjen me 21 pikë e nëntë kërcime.

Ndërkohë, pa Stephan Curry-n, Golden State Warriors po vijojnë me një formë shumë të dobët, të cilët pësuan humbjen e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit.

Warriors këtë radhë u mposhtë në udhëtim te Memphis Grizzlies me rezultat 123:95.

Basketbollisti i Warriors, Jordan Poole, ishte më i dalluari në këtë sfidë me 25 pikë, pesë kërcime e tre asistime.

Ndërsa te Grizzlies, Desmond Bane shënoi 22 pikë, si dhe Dillon Brooks e De’Anthony Melton kontribuuan me nga 21 sosh.

Humbje pësuan edhe Boston Celtics, të cilët u mposhtën pas gjashtë fitoreve radhazi.

Celtics këtë radhë pësuan nga Toronto Raptors me rezultat 115:112, shifra këto që u arritën pas një vazhdimi.

Kamerunasi Pascal Siakam ishte ylli i mbrëmjes me 40 pikë e 13 kërcime, ndërsa te Celtics u dallua Marcus Smart me 28 pikë e 10 kërcime.

Humbje në këtë xhiro pësuan edhe Chicago Bulls të cilët u mposhtën në udhëtim te New York Knicks me rezultat 109:104.

Basketbollisti i Bulls, DeMar DeRozan, ishte më efikasi në këtë ndeshje me 37 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime, ndërsa te Knicks u dalluan R.J. Barrett dhe Alec Burks me nga 28 pikë.

Ndërkohë, Denver Nuggets arritën të marrin një fitore të rëndësishme, teksa mposhtën në udhëtim Charlotte Hornets me rezultat 109:113.

Basketbollisti i Nuggets, Nikola Jokic, ishte më i dalluari i mbrëmjes, duke realizuar ‘triple-duble’ me 36 pikë, 19 kërcime e 11 asistime, ndërsa te vendasit u dallua Miles Bridges me 27 pikë e 11 kërcime.

Rezultatet tjera të mbrëmjes:

Cleveland Cavaliers 107 – 101 Orlando Magic

Indiana Pacers 123 – 132 Atlanta Hawks

Houston Rockets 120 – 123 San Antonio Spurs

Portland Trail Blazers 131 – 134 Oklahoma City Thunder

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore