Përballje

NBA/ Heat dhe Suns marrin fitore në ndeshjet e para të fazës çerekfinale


Orët e hershme të mëngjesit të së martës (me kohën tonë lokale), u zhvilluan edhe dy ndeshjet e tjera të fazës çerekfinale në “Play-off” në NBA.

Skuadra e Miami Heat shënoi fitore në ndeshjen e parë ndaj Philadelphia 76ers, duke i mposhtur me rezultat 106:92.

Bam Adebayo me 24 pikë e 12 kërcime dhe Tyler Herro me 25 pikë e shtatë kërcime ishin më të dalluarit në radhët e Miami-t, kurse Jimmy Butler u ndal në kuotën e 15 pikëve dhe nëntë asistimeve.

Ndërsa te 76ers më efikasi ishte Tobias Harris, i cili shënoi 27 pikë e gjashtë kërcime, derisa James Harden mbylli ndeshjen me 16 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime.

Ndeshja e radhës mes tyre do të zhvillohet përsëri në Miami më 5 maj, derisa ekipi që arrin katër fitore do të kualifikohet në fazën gjysmëfinale.

Ndeshje tejet interesante u zhvillua edhe në “Footprint Center”, aty ku Phoenix Suns shënuan fitore si vendas ndaj Dallas Mavericks me rezultat 121:114.

Basketbollisti i Mavericks, Luka Doncic, ishte njeriu i mbrëmjes me 45 pikë, 12 kërcime e tetë asistime, por nuk mundi ta evitojë humbjen për ekipin e tij.

Ndërsa te Suns u dalluan Devin Booker me 23 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime dhe Deandre Ayton me 25 pikë dhe tetë kërcime.

Edhe takimi i radhës mes tyre do të zhvillohet po në të njëjtin vend, më fatë 5 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore