Përballje

NBA/ Boston Celtics bëhet skuadra e parë që kalon në çerekfinale


Boston Celtics është skuadra e parë që ka kaluar në çerekfinale të fazës “play-off” në NBA, teksa eliminuan Brooklyn Nets me serinë prej 4:0 të ndeshjeve.

Orët e para të së martës (me kohën tonë lokale), Celtics shënuan fitoren e katërt radhazi ndaj Nets, kështu duke i eliminuar ata.

Basketbollisti i Nets, Kevin Durant, ishte më i dalluari në këtë ndeshje me 39 pikë, shatë kërcime e nëntë asistime, por nuk ndihmoi dot ekipin e tij që të evitojë humbjen dhe njëkohësisht eliminimin.

Në anën tjetër, Jayson Tatum me 28 pikë dhe Seth Curry me 23 sosh, ishin më të mirët te skuadra e Celtics.

Në fazën tjetër, Celtics do të ballafaqohet me fituesin e duelit Milwaukee Bucks – Chicago Bulls, aty ku Bucks janë një fitore larg kualifikimit tutje, pasi që janë duke udhëhequr serinë e ndeshjeve në 3:1.

Ndërkohë, në orët e hershme të mëngjesit të kësaj dite, u zhvilluan edhe dy takime tjera interesante, aty ku rezultati vijon të mbetet i ngushtë.

Toronto Raptors mposhti për herë të dytë radhazi Philadelphia 76ers, kështu duke e ngushtuar rezultatin e ndeshjeve në 3:2.

Raptors kësaj radhe shënuan fitore befasuese në udhëtim, me rezultat të thellë 88:103.

Kamerunasi, Pascal Siakam, ishte më i dalluari në këtë ndeshje te Toronto, i cili shënoi 23 pikë, 10 kërcime e shtatë asistime.

Ndërsa te 76ers, lojë të mirë shfaqi Joel Embiid me 20 pikë, 11 kërcime e katër asistime.

Rezultat i ngushtë po vazhdon të jetë edhe në çiftin mes Dallas Mavericks dhe Utah Jazz, aty ku Mavericks po prijnë me rezultat 3:2.

Dallas Mavericks këtë radhë shënuan fitore me rezultat 102:77, ku më meritori për këtë sukses ishte Luca Doncic.

Slloveni këtë radhë kontribuoi me 33 pikë, 13 kërcime e pesë asistime, derisa u ndihmua edhe nga Jalen Brunson, i cili shtoi 24 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

Ndërsa te Jazz u dallua Jordan Clarkson me 20 pikë dhe Rudy Gobert me 17 pikë e 11 kërcime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore