Përballje

NBA/ Befasohet Warriors, Jazz rikthehet te fitorja


Liga më e fortë e basketbollit në botë, NBA, vazhdon të dhurojë emocione, por edhe rezultate befasuese.

Befasinë më të madhe të mbrëmjes e dhuroi Minnesota Timberwolves, të cilët mposhtën Golden State Warriors, me rezultat të thellë 119:99.

Warriors vuajtën mungesat e yjeve si Stephen Curry e Daymond Green, andaj e kishin të vështirë fitoren ndaj vendasve të Timberwolves.

Që nga çereku i parë, Timberwolves ishin në epërsi dhe e ruajtën atë deri në fund të takimit, duke triumfuar me 20 pikë diferencë mes tyre.

Qendra e vendasve, Karl-Anthony Towns, ishte më efikasi në këtë takim, duke realizuar 26 pikë, 11 kërcime e një asistim.

Derisa me lojë të mirë u dalluan edhe Nowell, që shtoi 17 pikë si dhe Beasley që e mbylli takimin me 16 të tjera, kurse te skuadra mysafire më i dalluari në këtë takim ishte Jordan Poole me 20 pikë.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Utah Jazz rikthehet te fitorja pas katër humbjeve radhazi, teksa mposhtën në udhëtim Denver Nuggets, me rezultat të thellë 102:125.

Basketbollisti i Nuggets, Nikola Jokic, ishte ylli i mbrëmjes në këtë ndeshje, i cili realizoi “triple-duble” me 25 pikë, 15 kërcime dhe 14 asistime.

Ndërsa për Jazz, lojë të mirë shfaqi Donovan Mitchell, duke realizuar 31 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime.

Ndërsa, në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Houston Rockets mposhti në udhëtim Sacramento Kings, me rezultat 112:118.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore