Lajme

Navalny zhvendoset nga burgu në spital


Kreu i burgosur i opozitës ruse, Alexei Navalny, është zhvendosur në një pavion spitalor dhe ka kryer testin ndaj Covid-19 pasi shfaqi probleme me frymëmarrjen.

Kritiku i ashpër ndaj presidentit Vladimir Putin, deklaroi javën e shkuar se do të hynte në një grevë urie. Shkak u bë pamundësia për të takuar një doktor, pas problemeve që ai shfaqi me rënien në peshë.

Sipas raportimeve, dy të burgosur të tjerë rezultuan të kishin sëmundjen e tuberkulozit. Navalny ka thumbuar me këtë fakt, duke thënë se “nëse ka tuberkuloz, ky do të jetë një lehtësim, pasi do t’i duhet të hajë ushqim më të mirë”.

Kritiku i Kremlinit ka akuzuar se kushtet në burg “janë kundër çdo të drejte dhe lirie themelore të njeriut”. Sipas tij, natën e zgjojnë çdo orë nga gjumi dhe nuk e lënë të pushojë.

“Nëse kam tuberkuloz, atëherë ndoshta do të më ikë dhimbja nga shpina mpirja e gjunjëve”, shkruhet në faqen e tij në Instagram. Kjo e fundit, menaxhohet nga bashkëshortja dhe avokati i tij, të cilët përcjellin çdo mesazh të Navalny-t, që prej çastit kur ai u burgos, më 17 janar 2021.

Ndër simptomat e tjera të rëndësishme për Covid, ishin temperatura e lartë që ai kishte dhe kolla e thatë.

Pavioni ku Navalny është shtruar nuk bëhet i ditur nga autoritetet. Gjithsesi, disa raportime thonë se kryeopozitari rus po e vazhdon grevën e urisë edhe në spital.

Nga organizata ndërkombëtare Amnesty International ndërkaq, ka dyshime se Rusia po vepron “për ta vrarë dalëngadalë Navalny-n”. Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard, shkruan në Twitter se ka komunikuar me Putin-in.

“Ka një prospekt se Russia po e bën Navalny-n të vdesë ngadalë. Ai duhet lejuar të takojë një mjek menjëherë. Lironi Navalny-n”.

Protestat gjithashtu vazhdojnë në Rusi për lirimin e tij nga burgu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore