Bota

Navalny zbulon pallatin e jashtëligjshëm të Putin-it


Një pallat mbretëror në gjirin ekskluziv të Gelendzhik-ut, në Detin e Zi, mendohet se është pasuria e përftuar në mënyrë korruptive nga presidenti rus, Vladimir Putin. Zbulimim e fotove të para, e ka kryer Fondacioni Anti-Korrupsion, i themeluar nga kritiku kryesor i Kremlinit, Alexei Navalny.

Ky lajm del në dritë vetëm një ditë pas urdhrit të arrestit me 30 ditë për Navalny-n. Pallati ndodhet në një zonë të veçuar dhe pa akses për askënd.

Pallati luksoz ka një sipërfaqe prej 17 mijë e 691 metrash katrorë. Së bashku me rrethinat, ai përfshin edhe një kishë, një pyll panoramik 2 mijë e 500 metra katrorë, një amfiteatër, disa rezidenca të vogla për të ftuar dhe një tunel special që të nxjerr në breg të detit.

Kostoja, sipas hetimit, është minimalisht 1.35 miliardë dollarë. Brenda ndërtesës, mendohet se ka dhe ambiente argëtimi si kinema, bare ekskluzive apo kazino.

Për opozitën ruse, kjo pronë e Putin-it është shëmbëlltyra e qartë e një shteti të korruptuar nga koka tek këmbët.

Videoja e postuar në YouTube, rreth dy orë, shpjegon me detaje çdo pjesë të ndërtesës. Vetë Navalny, shfaqet në të, duke shpjeguar edhe mënyrat e përftimit të pronës nga Putin.

“Ky është vendi më i ruajtur në Rusi”, thuhet në video. “Një shtet brenda shtetit. Ky është sekreti më i madh i Putin-it. Sekret, i cili ruhet nga qindra njerëz në shërbim të tij”.

Sipërfaqja tërësore e pronës është 39 herë më e madhe se shteti i Monaco-s. Nuk ka asnjë mënyrë për të hyrë në pronë. Madje, askush nuk mund të afrohet në një perimetër prej 7 mijë hektarësh.

Si u ndërtua pallati i Putin-it?

Mendohet se prona është ndërtuar midis viteve 2005 dhe 2010. Fondet për ndërtimin e saj, sipas hetimit, janë përftuar në mënyrë të paligjshme. Mbi një miliard dollarë fonde të jashtëligjshme janë hedhur për këtë projekt.

Pronësia i atribuohet një firme të quajtur Binom. Sipas dokumentacionit, kjo kompani zotërohet nga njerëz shumë pranë nipit të Putin-it, Mikhail Shelomov. “Pavarësisht kësaj, pronari i vërtetë, është Putin-i”, shpjegon videoja.

Presidenti rus i ka hedhur poshtë të gjithë akuzat në lidhje me këtë ndërtesë. Ai gjithashtu ka mohuar çdo akuzë për përftim të paligjshëm të fondeve shtetërore dhe korrupsion.

Publikimi i këtij hetimi është faza e radhës e akuzave midis Navalny-t dhe Kremlinit. Opozitari rus u kthye në atdhe në 17 janar, pas pesë muajsh qëndrim në Gjermani, si pasojë e një helmimi që ai pësoi me një agjent kimik.

Navalny ka akuzuar Kremlinin për helmimin ndaj tij. Akuzat janë hedhur poshtë nga vetë Putin-i.

E gjithë bota është revoltuar për arrestimin që i është bërë kritikut të Moskës. Në më pak se 24 orë pas publikimit, videoja në YouTube ka marrë 17 milionë shikime./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore