Lajme

Navalny negativ ndaj Covid-19


Alexei Navalny ka rezultuar negativ ndaj Covid-19. Faktin e ka bërë të ditur avokatja e tij, Olga Mikhailova, e cila ka shtuar se ai i është nënshtruar një testimi të dytë.

Kritiku i burgosur i Kremlinit, u çua drejt një pavioni spitalor pas disa shqetësimeve shëndetësore. Navalny u raportua se kishte temperaturë të lartë dhe kollë të thatë.

Dyshime të tjera janë se ai mund të jetë prekur nga tuberkulozi. Dy të burgosur të tjerë janë diagnostikuar me sëmundjen, ndaj dyshohet edhe për kreun e opozitës ruse.

44-vjeçari, kundërshtar i Vladimir Putin-it, deklaroi disa ditë më parë se do të shkonte në grevë urie. Kjo, pas refuzimit për t’i mundësuar takimin me një mjek.

Pavioni ku Navalny është shtruar nuk bëhet i ditur nga autoritetet. Gjithsesi, disa raportime thonë se kryeopozitari rus po e vazhdon grevën e urisë edhe në spital.

Nga organizata ndërkombëtare Amnesty International ndërkaq, ka dyshime se Rusia po vepron “për ta vrarë dalëngadalë Navalny-n”. Sekretarja e Përgjithshme e organizatës, Agnes Callamard, shkruan në Twitter se ka komunikuar me Putin-in.

“Ka një prospekt se Rusia po e bën Navalny-n të vdesë ngadalë. Ai duhet lejuar të takojë një mjek menjëherë. Lironi Navalny-n”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore