Lajme

Navalny në grevë urie


Kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny, do të futet në një grevë urie, pasi ai pretendon se shteti rus nuk e lejon të konsultohet me një doktor.

“Çdo i dënuar ka të drejtën të ftojë një specialist për t’u konsultuar dhe ekzaminuar”, shkruan Navalny në Twitter. “Edhe unë, edhe pse jam i pafajshëm”.

“Pikërisht për këtë, unë kërkoj që një doktor të lejohet të më takojë. Ndërkohë që ende nuk ka ndodhur, unë do të hyj në grevë urie”.

Kritiku i Kremlinit është raportuar se ka pasur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit të tij në burg.

Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij nga Gjermania, ku qëndroi në gjendje kome për disa ditë dhe nën kujdes spitalor për disa muaj.

Shkaku, sipas mjekëve, ishte helmimi me një agjent kimik të quajtur Novichok.

Arsyeja pse Navalny u arrestua ishte për shkak të shkeljes së detyrimit të paraqitjes në Gjykatë. Sipas një vendimi të vitit 2017, Navalny është dashur çdo muaj të paraqitej.

Pavarësisht këtij detyrimi, helmimi nuk ia lejonte Navalny-t të paraqitej.

Pas kthimit, një gjyq në kohë rekord u zhvillua ndaj opozitarit rus. Ai u dënua me dy vite e gjysmë burgim për shkak të mosrespektimit të këtij vendimi.

Që prej burgosjes, protesta masive kanë ndodhur në Rusi. Mijëra protestues janë arrestuar. Skenat e dhunshme bënë xhiron e botës në pak minuta.

Tashmë me vendimin për grevë urie, protesta të tjera pritet të ndodhin në Rusi. Disa paralajmërime ka se mund të ketë deri në 500 mijë të mbledhur në sheshet ruse për të mbështetur Navalny-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore