Lajme

Navalny i shpërfytyruar bisedon nga burgu me bashkëshorten


Kreu i opozitës ruse, Alexei Navalny, ka zhvilluar nga burgu ku po mbahet nën masa sigurie, një bisedë me bashkëshorten e tij, Yulian.

Navalny ka qenë i burgosur prej 17 janarit, pas kthimit nga Gjermania, ku qëndroi për katër muaj nën kujdes spitalor. Ai ishte helmuar me një agjent të fuqishëm kimik, Novichok.

Pavarësisht kësaj, Navalny mbijetoi dhe vendosi të rikthehej në Moskë, për t’u përballur me presidentin Vladimir Putin.

Pas burgosjes, kritiku i Kremlinit, vendosi të ndërmerrte një grevë urie, e cila zgjati mbi tre javë. Për shkak të saj, ai humbi rreth 20 kilogramë, duke shkaktuar edhe probleme të mëdha shëndetësore.

Përtej humbjes së peshës, dyshohej se Navalny vuante edhe nga tuberkulozi. Dyshime mbi infektimin nga Covid-19, qarkullonin gjithashtu. Gjithsesi, problemi kryesor ishte ai me veshkat, njëra prej të cilave rrezikonte të dështonte.

Një luftë e vërtetë filloi, me kërkesën e Navalny-t për të takuar mjekët e tij – gjë kjo që nuk po i lejohej nga Kremlini sipas pretendimeve. Ai u vendos në kujdes shëndetësor, në një klinikë shëndeti të një burgu tjetër.

Kjo dalje e Navalny-t, është e para e tija në publik, që prej gjyqit që u mbajt në shkurt ndaj tij.

Pamja nga video që shfaqet në ekranet e dhomës së vëzhgimeve, është shokuese. Navalny duket tërësisht i shpërfytyruar. Kilet e humbura vërehen qartësisht në pamjet e videos.

Disa fjalë prekëse mbi gjendjen e tij, ja ka thënë bashkëshortes, e cila po e dëgjonte.

Fjalët e Navalny-t për Yulian

“Yuliasha, nëse arrin të më dëgjosh, ngrihu në këmbë për një sekondë, dua të të shoh. Oh, paske vendosur maskë. Dje më çuan për t’u larë, në mënyrë që të dukesha mirë sot. E pashë veten në pasqyrë. Dukesha si një skelet i tmerrshëm. Jam në gjendje mjerane, si të isha një fëmijë në klasën e shtatë. Nëse i heq rrobat, do të dukem akoma më keq se kaq”.

“Dje, hëngra katër lugë muhalebi. Sot do të ha po aq, ndërsa nesër do të ha gjashtë lugë. Po pres derisa të ha dhjetë lugë në ditë. Do jetë zhvillim shumë i madh. Luftova që të më jepnin 60 gramë karota. Kam bërë një kërkesë që duhet të ha 60 gramë karota në ditë që nga sot. Ata po e marrin parasysh kërkesën. Duhet të ha 450 kalori sot. Nesër duhet të ha 530 kalori”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore