Lajme

NATO s’ka marrë vendim për tërheqje nga Afganistani


Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, është shprehur se bisedimet e paqes nuk kanë përparuar aq sa të mundësojnë tërheqjen e trupave të Organizatës së Atlantikut të Veriut (NATO) nga Afganistani.

“Kjo nënkupton se duhet të përgatitemi për ndryshimin e situatës së sigurisë dhe një kërcënim në rritje për trupat ndërkombëtarë dhe ushtarët tanë”.

Kramp-Karrenbauer theksoi se talibanët duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet e marrëveshjes së tyre të paqes, në vitin 2020, me Shtetet e Bashkuara për të lejuar tërheqjen e trupave të huaja.

NATO nuk ka marrë asnjë vendim kur do të tërhiqet nga Afganistani.

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se tërheqja e trupave të aleancës nga Afganistani do të jetë e “kushtëzuar”.

Gjatë një takimi virtual me udhëheqësit e NATO-s, zoti Stoltenberg tha se talebanët duhet të “përmbushin kushtet”, duke ulur dhunën dhe duke i dhënë fund mbështetjes për “grupet ndërkombëtare terroriste si Al-Qaeda.”

Ai tha se në këtë fazë nuk kanë asnjë vendim përfundimtar për të ardhmen e pranisë së NATO-s.

“Ndërsa afrohet afati i 1 majit, aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen nga afër dhe të koordinohen në javët e ardhshme”.

Marrëveshja SHBA-Taliban

1 maji ishte afati i fundit për çdo tërheqje të mundshme në të ardhmen si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të arritur midis SHBA dhe talibanëve vitin e kaluar.

Pas dy dekadash ndërhyrjeje ushtarake perëndimore dhe qindra miliarda dollarë investime, vendet e NATO-s janë të shqetësuara për minimin e progresit drejt demokracisë.

Sulmet në Afganistan, përfshirë një bombë që vrau zëvendësguvernatorin e kryeqytetit Kabul në dhjetor, kanë nxitur thirrjet nga anëtarët e Kongresit Amerikan dhe grupeve ndërkombëtare për një shtyrje të tërheqjes së trupave për të cilën është rënë dakord kur Donald Trump ishte president i SHBA.

Stoltenberg tha se talibanët duhet të respektojnë zotimet sipas një marrëveshjeje të arritur me Washingtonin.

Ato përfshijnë përparimin në bisedimet e paqes me Kabul, uljen e dhunës dhe ndërprerjen e lidhjeve me “grupet terroriste ndërkombëtare”.

Moslargimi i trupave nga Afganistani para kohe

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 16 shkurt hapi dyert për aleancën duke mbajtur forcat në Afganistan përtej afatit të majit kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin premtuar të hiqnin 2 mijë e 500 trupat e saj të mbetura nga vendi.

“Ndërsa asnjë aleat nuk dëshiron të qëndrojë në Afganistan më gjatë sesa është e nevojshme, ne nuk do të largohemi para se të jetë koha e duhur”.

Ministrat pritet të diskutojnë në lidhje me trupat e SHBA-së dhe NATO-s në takim, por arritja e një vendimi të shpejtë mbi Afganistanin mund të jetë e vështirë, duke pasur parasysh që administrata e Biden po shqyrton se si do të ecë përpara.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore