Lajme

NATO kërkon nga institucionet në Kosovë që të de-përshkallëzojnë menjëherë


Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të de-përshkallëzojnë menjëherë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që ta zgjidhin situatën përmes dialogut.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtarja e NATO-s, duke cituar statusin e saj në median sociale “Twitter”.

“Ne kërkojmë nga institucionet në Kosovë që të de-përshkallëzojnë menjëherë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta zgjidhin situatën përmes dialogut. KFOR-i i NATO-s mbetet vigjilent dhe do të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt”, shkruan ajo.

Ndërtimi i situatës

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave respektive në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të treja komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyejë” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shock bomb-a për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

“Do të kenë pasoja në marrëdhëniet ShBA-Kosovë”, si reagoi bota për situatën e krijuar në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore