Shqipëria

NATO-ja mbledh ministrat, që pas tërheqjes nga Afganistani


Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, janë mbledhur në një takim dy-ditor të nisur më 21 tetor.

Në fjalimin hapës, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh se “ky është mesi i një transformimi të aleancës”.

“Gjatë viteve të fundit ne jemi rritur dhe e kemi vënë fokusin në mbrojtjen tonë kolektive”, tha ai.

Ministrat ranë dakord për objektiva të rinj në rritjen e aftësisë ushtarake të secilit vend dhe një plan të përgjithshëm për mbrojtjen e zonës euro-atlantike.

Strategjia ka për qëllim “sigurimin e forcave të duhura në vendin e duhur në kohën e duhur”.

Një master plan kundër ofensivës së mundshme ruse

Përpara bisedimeve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pranoi se marrëdhëniet midis aleancës dhe Rusisë ishin veçanërisht të trazuara. Sidomos pasi disa prej të dërguarve rusë humbën akreditimin, shkak akuzat se ata ishin spiunë. Moska ka thënë se do të pezullojë përfaqësimin e Moskës në NATO në përgjigje të kësaj lëvizjeje nga Aleanca.

“Nuk ka qenë më e vështirë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë,” tha Stoltenberg, duke shtuar se ndërsa i vjen keq për vendimin e Moskës, kishte ende “rrugë dhe kanale për komunikim” të hapura.

Përplasja e fundit mbi të dërguarit ka zanafillën tek tensionet e shkaktuara nga aneksimi i Krimesë, territor i Ukrainës, nga Moskë në vitin 2014.

Në këtë takim ministrat do të diskutojnë një master plan për të kundërshtuar çdo ofensivë të mundshme ruse të shumëfishtë. Nga ana strategjike, ata shpresojnë të jenë gati për çdo sulm në rajonet e Baltikut dhe Detit të Zi, pavarësisht nëse ai përfshin armë bërthamore, luftëra kibernetike apo armatime të përdorura në hapësirë.

 

Sfidat nga Kina

NATO-ja ka rritur mbrojtjen e saj në Evropë që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe po përballet gjithnjë e më shumë me sfidën e paraqitur nga Kina.

Aleatët po diskutojnë për një fond inovacioni prej 1 miliardë eurosh që synon financimin e start up-eve që punojnë në teknologjitë e fundit.

Mësimet e nxjerra nga dështimet e Afganistanit

Ky ishte takimi i parë ballë për ballë i ministrave të Mbrojtjes që kur talebanët erdhën në pushtet në Afganistan pasi NATO-ja u tërhoq.

Stoltenberg ka këmbëngulur se aleatët duhet të qëndrojnë të bashkuar pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi largimin nga Afganistani.

“Misioni ynë nuk ishte i kotë – ne parandaluam që Afganistanin të kthehej në një strehë të sigurtë për terroristët ndërkombëtarë dhe parandaluam një sulm kundër çdo aleati të NATO -s për 20 vite”, këmbënguli Stoltenberg.

Përveç mësimeve që duhen nxjerrë nga misioni, ministrat do të flasin për përpjekjet e vazhdueshme për evakuimin e stafit lokal. Ata gjithashtu do të marrin në konsideratë opsionet kundër terrorizmit në rastin e Afganistanit, i cili sërish mund të kthehet në një terren nisjeje për sulmet ndaj Perëndimit nga grupet e tjera ekstremiste.

Stoltenberg ka theksuar se aleanca do të qëndrojë vigjilente që të ruhen arritjet.

30 ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu metodat e parandalimit të përbashkët dhe mbrojtjes dhe investimeve në teknologjitë e reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore