Sport

Nations League, Reja: Ndeshje të rëndësishme, synimi të fitojmë grupin


Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja, ka dalë në konferencë për mediat para dy sfidave në Nations League që do të zhvillohen në muajin qershor.

Kuqezinjtë përballen në transfertë me Islandën dhe presin Izraelin në shtëpi. Ndërsa, do të ketë dhe një ndeshje miqësore me Estoninë.

Kjo, si pasojë e përjashtimit të Rusisë nga kompeticionet e FIFA-s dhe UEFA-s, skuadër e cila ishte në të njëjtin grup me Shqipërinë.

Duke folur për kompeticionin, Nations League, Reja tha se “Ndeshjet janë të rëndësishme dhe duhet t’i fitojmë. Në ndeshjet e muajit mars ne ishim në gjendje shumë mirë. Synimi ynë që është të fitojmë grupin”.

Për sa u përket lojtarëve të grumbulluar, trajneri italian shpjegoi se “ka lojtarë që kanë probleme fizike. Sot do të vijë ekipi dhe do të bëjmë vlerësime. Ata që do të luajnë, do të jenë në 100% të formës së tyre”.

“Lojtarët e dinë shumë mirë rëndësinë e këtyre sfidave. Kam besim te skuadra dhe paraqitja e lojtarëve. Duket se jemi në formë të mirë në aspektin psikologjik. Mund të kemi ndonjë mungesë për shkak të sezonit të gjatë”.

“Broja është me COVID-19 dhe është në shtëpi dhe presim të bëjë testet e tjera dhe pastaj ta shohim, uroj ta rikuperoj për ndeshjen e datës 19 me Izraelin, është e vështirë shumë për këtë, uroj ta kem për Izralein, fola me Manajn dhe ka probleme me shpatullën”.

“Të gjithë ata që kanë munguar kanë probleme, Laçi është dëmtuar, e njëjta gjë me Baren, nuk mund të marrin pjesë, ndaj ata që kam në dispozicion janë këta dhe këta duhet të na sjellin rezultatin final”, theksoi trajneri.

Shqipëria do të përballet me Islandën më 6 qershor në transfertë. Ndërsa, katër ditë më vonë, do të presë Izraelin në Tiranë.

Më 13 qershor do të jetë përballja miqësore me Estoninë, e cila do të zhvillohet po në Tiranë.

Përjashtimi i Rusisë ka sjellë anulimin e dy përballjeve me kuqezinjtë.

E para ishte caktuar më 2 qershor në Tiranë, kurse ajo e kthimit më 13 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore