Lajme

“Nata e Zjarreve”, përmbyllë manifestimin e Epopesë së UÇK-së


Për nderë të 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtë të hëne mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve” në fshatin Prekaz të Skenderajt.

Në ora 18:00, do të organizohet koncert në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, ndërsa po në të njëjtën kohë në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë do të ndizen flakadanë.

Ndërkaq të dielën e gjashtë marsit krerët e shtetit dhe qindra qytetarë kanë bërë homazhe te varrezat në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jasharit, theksoi se e tërë lagjja Jashari kanë luftuar kundër 15 mijë forcave serbe në Prekaz.

Bekim Jashari

“E tërë lagja Jashari kundër një force të pabarabartë, një arsenal i tërë i përdorur kundër një familje e pas disa orëve të një lagje që sipas dëshmitarëve flitet që kanë qenë mbi 15 mijë forca ushtarake dhe policore”, tha Jashari pasi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

Por sipas tij, “që nga ajo ditë deri më sot janë shqiptarët nga gjitha trojet tona, por edhe nga diaspora që nuk na harruan dhe nuk na lanë vetëm asnjëherë si në ditë gëzimi e në ditë të vështira, kemi festuar bashkërisht”.

Ai shtoi se do ta mbrojnë vendin sa të ekziston fryma e fundit.

Ndërsa krerët e shtetit kanë thënë njëzëri se “sulmi ndaj familjes Jashari është masakra më e tmerrshme e Serbisë” dhe se “lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe mbrojtëse”.

Ndryshe në sulmin serb i cili zgjati deri më 7 mars 1998, mbetën të vrarë 55 njerëz, ku ndër ta kishte rënë heroikisht komandanti, Adem Jashari së bashku me 22 anëtarë të familjes së ngushtë, në mesin e tyre gra dhe fëmijë.

Gratë dhe fëmijët e familjes Jashari

Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik mbyll një kapitull të dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës, dhe fillon një etapë e re.

Ajo përkujtohet si beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve, që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve dhe që frymëzoi çdo atdhetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore