Sport

Napoli mendon transferimin e Adnan Januzaj


Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Adnan Januzaj, ka përfunduar në radarin e gjigandit italian, Napoli.

Sipas asaj që raporton “Il Corriere dello Sport”, drejtuesit e klubit të Napolit e pëlqejnë Januzajn dhe dëshirojnë ta transferojnë atë me parametra zero gjatë afatit kalimtar veror.

Januzaj ka kontratë me klubin e tij, Real Sociedad deri në qershor të këtij viti dhe italianët kërkojnë që të arrijnë me të një parakontratë me të, në mënyrë që 26 vjeçari të mbërrijë në Itali si një agjent i lirë.

Adnani në Napoli pritet të jetë zëvendësuesi i kapitenit Lorenzo Insigne, i cili do t’i bashkohet skuadrës kanadeze, Toronto FC.

Januzaj këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje me Real Sociedad-in në të gjitha garat, ku ka shënuar katër gola e ka asistuar në tre të tjerë.

Ndryshe ai është pjesë e klubit spanjoll që nga vera e vitit 2017, kur u transferua nga skuadra e Manchester United për shumën e 8.5 milionë eurove.

Deri më tani, Januzaj ka zhvilluar 153 ndeshje në të gjitha garat me fanellën bardhekaltër, prej të cilave ka shënuar 22 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore