Shqipëria

Nano: Policia përballoi me sukses një ndër evenimentet më të mëdha të futbollit


Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, gjatë një deklarate për shtyp, foli për mbarëvajtjen e finales së Conference League në Tiranë.

Në fjalën e tij, së pari, Nano falënderoi të gjithë efektivët e Policisë që u angazhuan dhe “përballuan një ndër evenimentet më të mëdha ndërkombëtare të futbollit”.

“Në krejt historinë e saj, jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe mbarë vendi ynë nuk ishte ndeshur me peshën e organizimit të një eventi të tillë”, vijoi ai më tej.

Një ngjarje e përmasave të tilla, ravijëzoi Nano, u ndryshoi mendim qytetarëve ndërkombëtarë që Shqipëria nuk është një “vend i sigurt”.

“Padyshim që fluksi i jashtëzakonshëm i tifozëve dhe i personaliteteve të sportit në Shqipëri, ndikoi që në shumë prej tyre të thyhej mendësia se Shqipëria është një vend i pasigurtë. Përkundrazi, ata në këto ditë të qëndrimit u shprehën se vendi ynë ofron më shumë se pritshmëritë e tyre”.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë shpalosi dhe punën e autoriteteve, për të cilat tha se u deshën pesë muaj, bashkëpunim edhe me homologët italianë dhe holandezë që evenimenti sportiv të mbyllej me sukses.

“Për pesë muaj me radhë, duke bashkëpunuar me homologët italianë e holandëzë, me UEFA-n dhe FSHF-në, është punuar maksimalisht nga ekspertët e Policisë për të detajuar çdo masë, me qëllim që ky aktivitet i përmasave evropiane të përmbyllej me sukses”.

Në procesin e ruajtjes së rendit dhe sigurisë, shtoi Nano, morën pjesë 2 mijë e 800 punonjës policie.

Incidentet

Nano u ndal edhe tek tre incidentet e ndodhura kryesisht gjatë 48 orëve të finales së Conference League.

Sipas të dhënave, u evidentua “goditja me mjete të forta ndërmjet një grupi të tifozëve të Holandës dhe qytetarëve shqiptarë, për të cilin u arrestuan dy tifozë holandezë, përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh holandezë dhe përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh italianë”.

Reagimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë profesional dhe vendimtar, shtoi Nano, sepse është parandaluar në kohë përplasja me pasoja e grupeve të tifozëve të të dy skuadrave, të cilëve Policia iu sekuestroi thika, shkopinj druri, leva hekuri, pllaka guri, shishe qelqi e sende të tjera të rrezikshme për jetën e shëndetin.

Si pasojë e ngjarjeve të mësipërme, Policia e Shtetit dëboi jashtë vendit, 80 tifozë ultras të skuadrës së Romës dhe mbetën të plagosur 19 punonjës policie.

Bashkëpunimet

Për mbarëvajtjen e finales, Policia e Shtetit ka bashkëpunuar me disa institucione, si: Bashkinë e Tiranës dhe Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Federatën Shqiptare të Futbollit, Autoritetet e aeroportit të Rinasit, Tiranë dhe autoritetet e Kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Autoritetin Portual Durrës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë), spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë dhe vullnetarët.

Gjithashtu, Policia bashkëpunoi edhe me shërbimet policore të të dy vendeve, Itali dhe Holandë.

“Grupe oficerësh të këtyre dy vendeve u angazhuan drejtpërdrejt në terren, së bashku me oficerët e Policisë së Shtetit, në funksion të mbarëvajtjes së këtij aktiviteti”.

Nano falënderoi edhe Policinë e Kosovës, e cila “iu përgjigj ftesës për të dërguar një grup me specialistë të niveleve të ndryshme, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë Policisë së Shtetit, për të menaxhuar tifozët që erdhën nga Kosova, si dhe për të fituar eksperiencë në menaxhimin e aktiviteteve të përmasave të tilla që ndodhin rrallë në rajonin tonë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore