Lajme

Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan


Kryekongresmenja amerikane, Nancy Pelosi, ka zbritur zyrtarisht në kryeqytetin e Tajvanit, Taipei, në një vizitë historike për një zyrtare të lartë amerikane, pas tensionesh të shumta dhe kërcënimesh nga ana e Pekinit zyrtar.

Zyrtarja e lartë amerikane kryeson një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve për të vizituar rajonin Indo-Paqësor.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp nga faqja zyrtare e kryekongresmenes, i cili u bë publik me t’u ulur në Taipei, ajo shkruan se vizita e delegacionit amerikan është kryer për të nderuar angazhimin e palëkundur të demokracisë në Tajvan.

“Vizita jonë është pjesë e një agjende më të gjerë në rajonin e Indo-Paqësorit, duke përfshirë Singaporin, Malajzinë, Korenë e Jugut dhe Japoninë”, theksohet në komunikatë.

Më tej, aty shtohet fakti se diskutimet me lidershipin tajvanez, do të përqendrohen në rikonfirmimin e mbështetjes për partnerët, si edhe në promovimin e interesave të përbashkëta të vendeve, përfshi këtu hapjen tërësore të Indo-Paqësorit.

“Solidariteti amerikan me 23 milionë banorët e Tajvanit është më si rëndësishëm se kurrë më parë sot”, vijohet, “duke qenë se bota përballet me një zgjedhje mes demokracisë dhe autokracisë”.

Në përmbyllje të komunikatës, bëhet e qartë se përpjekja amerikane, është ajo kundër ndryshimeve të njëkahshme të status quo-së në Tajvan, duke dhenë kështu një sinjal të qartë për Kinën se përpjekjet ushtarake të Pekinit jo vetëm nuk do të kenë mbështetjen e Washingtonit, por edhe do të kundërshtohen.

Agjenda e Pelosit

Një takim i veçantë i saj pritet të jetë ai me presidentin tajvanez Tsai Ing-wen.

Teksa, një itinerar (jo zyrtar) të sajin në 24 orët që do të qëndrojë në Tajvan, e ka zbuluar e përditshmja “Liberty Times”.

Gjatë natës, ajo do të qëndrojë në Taipei dhe largimi, pritet të ndodhë pasditen e të mërkurës.

Zyrtarja e lartë amerikane kryeson një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve për të vizituar rajonin Indo-Paqësor.

Sipas kësaj gazete, delegacioni ka rezervuar dy hotele, të cilët mund të jenë hoteli “Grand Hyatt” në distriktin Xinyi ose hoteli “Marriott” në rrethin Zhongshan.

Burimet përkatëse theksuan se në mbrëmje në Tajvan do të mbërrijnë mysafirë të rëndësishëm të huaj, por Ministria e Punëve të Jashtme vetëm ritheksoi se nuk ka asnjë koment të mëtejshëm.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka rritur nivelin e gatishmërisë luftarake nga mëngjesi i 2 gushtit deri në pasditen e 4 gushtit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Zyrtari kinez i Ministrisë së Jashtme deklaroi se Kina është e gatshme të përfundojë dialogun në nivelin më të lartë me SHBA-të në rast të vizitës së Pelos-it në Tajvan.

Më 25 korrik, aeroplanmbajtësja amerikane USS Ronald Reagan dhe grupi i saj goditës, duke përfshirë një shkatërrues me raketa të drejtuara dhe një kryqëzor me raketa të drejtuara, u larguan nga Singapori për në ngushticën e Tajvanit në prag të një vizite të mundshme nga Pelosi.

Pesë ditë më pas, Kina njoftoi zhvillimin e stërvitjeve ushtarake me të shtëna pranë Tajvanit.

Tajvani ka qenë prej kohësh një pikë tensioni në marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Kina pretendon se demokracia ishullore është pjesë e territorit të saj.

Edhe pse SHBA-të nominalisht i përmbahen politikës “të një Kine”, e cila njeh Tajvanin dhe Kinën si pjesë të të njëjtit vend, ajo ruan “paqartësi strategjike” në marrëdhëniet e saj me ta.

Që nga marrja e detyrës, presidenti amerikan Joe Biden ka sugjeruar vazhdimisht se SHBA-të do të mbrojnë Tajvanin ushtarakisht nëse Kina do të përpiqej të rimarrë ishullin me forcë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore