Lajme

Nagavci uron mësimdhënësit në Kosovë: “Do të jem zëri juaj”


Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë

Përmes një videoje të cilën e ka shpërndarë në llogarinë e saj në Facebook, ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka uruar 7 Marsin, ditën e mësuesit për të gjithë mësimdhënësit.

“Po shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ditën e mësuesit dhe ditën e shkollës shqipe”, ka nisur fjalimin e saj të shkurtër përmes kësaj videoje, Nagavci.

“Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe avancimit të shoqërisë shqiptare”.

“Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare. Të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë”, thotë Nagavci në videon ku përgjatë kohës sa ju drejtohet mësimdhënësve, afër vetes ka flamurin e Kosovës dhe atë kombëtarë.

“Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet”, ka vazhduar më tej ajo.

Nagavci në urimin e saj tregon se ka mision që të vazhdoj të këmbëngulë për të arritur punë të suksesshme e me përkushtim.

“Angazhim të gjithmbarshëm të mësimdhënësve tanë për ta avancuar mësimdhënien dhe për ta bërë atë konkurrente me vendet e zhvilluara. Si mësimdhënëse dje, dhe si ministre sot, njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në përpjekjen për të bërë më të mirën për fëmijët tanë”, tha Nagavci.

Në Kosovë dhe të gjitha trevat shqiptare shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore