Lajme

Nagavci: Standardet ndërkombëtare të cilësisë, arrihen duke punuar shumë


Ilustrim i fotografise

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se evidenca shkencore është një bazë shumë e rëndësishme për politikëbërjen dhe vendimmarrjen, duke shtuar se hulumtimi në arsim, i shërben përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies.

Nagavci këto komente i bëri në Konferencën ndërkombëtare të Kosovës për hulumtim arsimor-KICER që u zhvillua në kuadër të një projekti ndërkombëtar të financuar nga Programi Erasmus Plus, me mbështetje të Bashkimit Evropian.

Ajo tha se është domosdoshmëri rritja e standardeve në arsim.

“Kjo Konferencë në të cilën po marrin pjesë hulumtues nga vende të ndryshme të botës është organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës dhe do të jetë e përqendruar në këto fusha: zhvillimin e politikave arsimore drejt cilësisë në arsim, mësimin në distancë në arsimin parauniversitar, edukimin për qytetari demokratike si dhe përfshirjen dhe diversitetin”, tha Nagavci.

Nagavci ka bërë të ditur se sistemi i arsimit në Kosovë ka ende probleme serioze.

Ndër të tjera, Nagavci ka shtuar  se “duhet të punojmë shumë për t’i arritur standardet ndërkombëtare të cilësisë”.

Ministrja e Arsimit përmendi edhe sfidat në mësimin në distancë, por lavdëroi mësimdhënësit se kanë dhënë maksimumin.

“Na nevojitet një bazë solide e evidencës mbi të cilën mund të mbështetet politikëbërja dhe vendimmarrja. Pas shfaqjes së pandemisë u pa se mësimi në distancë ka shumë sfida megjithatë, mësimdhënësit e kanë bërë maksimumin e tyre për ta kryer detyrën e tyre”.

Ndërsa menaxheri i programit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Stergios Tragoudas ka treguar rëndësinë e hulumtimit në arsim dhe mbështet aktivitet e tilla që kontribuojnë në arsim.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi kanë theksuar rëndësinë e hulumtimit në arsim dhe rolin e Fakultetit të Edukimit në përmirësimin e cilësisë në arsim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore