Lajme

Nagavci: Përmes projektligjit për tekste shkollore synojmë përmirësimin e cilësisë


Ministria e Arsimit, së bashku me Institutin EdGuard, kanë organizuar diskutimin publik mbi Projektligjin për tekste shkolle, sipas të cilit është konsideruar që do të përmirësojë cilësinë e teksteve mësimore.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se me këtë projektligj mundësohen bazë të mira ligjore për tekste shkollore cilësore.

“Synimi ynë është që, në radhë të parë, të përmirësojmë cilësinë e teksteve mësimore”.

Kjo, sepse, ka thënë më tej, “të gjithë jemi të vetëdijshëm që, sado që sipas kurrikulës sonë burimet e mësimdhënies janë të shumta dhe të llojllojshme, tekste mësimore vazhdojnë të jenë burimi kryesor për mësimdhënës tanë e po edhe mjeti i parë, duke pas parasysh shpeshherë i vetmi edhe i prindërve dhe fëmijëve që duan të punojnë në shtëpi e tyre”.

Sipas saj, procedurat e sakta për hartim vazhdojnë të jenë të rëndësishme në këtë drejtim.

“Po ashtu, synimi ynë është që të përcaktojmë edhe procedurat të sakta për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në proces të vlerësimit dhe botimit të teksteve mësimore, të rrisim kapacitetet e autorëve dhe recezentëve për hartim dhe vlerësim të teksteve shkollore”.

Gjithashtu, theksoi se diçka risi që do të sjellë projektligji për tekstet shkolle është aplikimi me dorëshkrime.

“Natyrisht synojmë që të kemi edhe çmime të arsyeshme të botimit të teksteve mësimore. Ky projektligj do të sjellë disa risi, në proces dhe strukturë… Synojmë të themelojmë një sektor për tekstet shkollore dhe këtë do ta bëjmë përmes ristrukturimit të Institutit Pedagogjik ku do të kemi një sektor të veçantë i cili do të ketë përgjegjësi të parë dhe primare në favor të përmirësimit të cilësisë të teksteve shkollore”.

Nagavci sqaroi se aplikimi me dorëshkrime do të bëhet drejtpërdrejtë nga autorët.

“Unë besoj që kjo është një nga risitë kryesore që i sjell projektligji e që ne besojmë që kjo do të ndihmojë që tekstet vërtet të jenë në aspekt profesional të mira e të mos varen krejtësisht edhe nga faktorët e tjerë që, natyrshëm, janë edhe çështje të interesave biznesore sepse e tillë është natyra e punës”.

“Sa u përket recezentëve sigurisht se edhe këtu i kemi kushtuar vëmendje të veçantë, ata do të jenë persona, të cilët do të certifikohen paraprakisht”.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard bëri të ditur se ky projektligj hap rrugën për përdorimin e teskteve digjitale.

“Ky projektligj, për herë të parë, i hap derën për tekste mësimore digjitale që është pika më e rëndësishme, pra promovon dhe nxitë po ashtu për prodhim, hartim dhe vlerësim dhe botim të teksteve shkollore digjitale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore