Lajme

Nagavci për protestën e nxënësve: Jemi duke u angazhuar në përmirësimin e arsimit “kërkon kohë dhe durim”


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci pas protestës së mbajtur në komunat e Kosovës me moton “S’po shkohet në shkollë’ përmes një shkrimi në rrjetin e saj social ‘Facebook’ ka shprehur edhe shqetësimin e saj për gjendjen në arsim.

“Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim”, ka shkruar Nagavci.

Më tutje, Nagavci ka thënë se dikasteri të cilin ajo e udhëheq është duke punuar për përmirësimin në arsim.

“MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim”.

Protesta e nxënësve në Prishtinë.

“Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor”.

Ajo tutje ka ndarë disa nga vendimet dhe punët konkrete, që sipas saj janë në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët.

“Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022, Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike”.

“Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces, Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit”.

Po ashtu, ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë.

“Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh. Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional”.

“Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla”.

Me thirrjet “S’po shkohet në shkollë”, në Prishtinë kanë protestuar nxënësit e shkollave të mesme, të martën e 19 prillit.

Ata kanë kërkuar cilësi, barazi e siguri në arsim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore