Lajme

Nagavci: Pagat e mësimdhënësve në Kosovë të përafërta me ato të rajonit


Arbërie Nagavci

Pagat e mësimdhënësve në Kosovë sipas Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, janë të përafërta me ato të shteteve të rajonit, me ç’rast më të mëdha se në Maqedoninë e Veriut, e pak më të vogla se në Shqipëri.

Nagavci, e cila po merr pjesë në kongresin e tetë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, gjatë fjalimit të saj ka potencuar se marrë parasysh faktin se gjatë vitit 2022 në të gjitha shkollat në Kosovë janë 14 mijë nxënës më pak, asnjëra prej mësimdhënësve nuk e ka humbur vendin e punës.

“Vetëm këtë vit kemi rreth 14 mijë nxënës më pak se vitin e kaluar mirëpo ne jemi kujdesur që asnjëri nga mësimdhënësit tanë të mos mbetet pa punë. Shumë shpejtë do fillojnë punën 100 asistentë me fëmijët me nevoja te veçanta. Ministria e Arsimit ka ndarë grandin prej 1.7 milionë euro për mësimdhënësit me probleme shëndetësore”, ka thënë ajo.

Nagavci, ka bërë të ditur se dikasteri të cilën ajo po e drejton është duke bërë maksimumin që të krijohen të gjitha kushtet për mësimdhënësit, duke kujtuar kështu edhe mos-largimin nga puna të 1 mijë e 600 mësimdhënësve që janë konsideruar tepricë teknologjike, për shkak të uljes së numrit të nxënësve.

Ministrja e Arsimit anëtarëve të SBASHK-ut u tha se do të jenë në përkrahje të vazhdueshme, dhe se sipas saj ajo beson që fëmijëve do tu ofrohet mësimdhënie cilësore dhe ambient i sigurt.

“Do të jemi në përkrahje tuaj të vazhdueshme dhe njëkohësisht besoj se do të punojmë bashkë që secilit nxënës t’i ofrohet një mësimdhënie cilësore, ambient i sigurt e i shëndetshëm për fëmijët. Do të marrim seriozisht çdo shqetësim tuaj dhe njëkohësisht insistoj në mirëkuptimin e bashkëpunimin tuaj që sfidat e vështirësitë t’i zgjedhim së bashku, duke i caktuar edhe prioritetet.

Ndryshe SBASHK-u është duke mbajtur kongresin e 8-të, ku pritet të zgjidhen organet e reja drejtuese si dhe të merret vendim për veprimet sindikale të paralajmëruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore