Kosova

Nagavci fton mësimdhënësit ta nisin mësimin


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për herë të parë, punëtorët e arsimit po trajtohen dinjitetshëm, dhe se i fton të gjithë të rifillojnë mësimin.

Nagavci bëri të ditur se me projektligjin e ri, paga e mësimdhënësit të shkollës së mesme do të rritet për gjashtë përqind, ndërsa pagat në arsimin fillor do rriten për shtatë për qin.

“Me Projekligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë. Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj”, shkroi Nagavci në Facebook.

Ajo shtoi se është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar në lignin e kaluar, duke thënë se nuk do lihen anash mësuesit e klasave 1-5.

“Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit. Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik. Ky Projektligj ofron shumë më shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit”, shtoi ajo.

Nagavci më tej ftoi mësimdhënësit të rifillojnë mësimin dhe se pranon sugjerime, që të ketë një projektligj sa më efikas për pagat në arsim.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat. Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar  çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore