Sport

Nadal rrëfen për dëmtimin e tij dhe kthimin në suksesin e “Australian Open”


Tenisti spanjoll, Rafael Nadal, para pak ditësh fitoi “Australian Open”, duke mposhtur në finale tenistin rus, Daniil Medvedev, me një rikthim historik, pasi që ishte duke humbur 2:0 me sete.

Ky ishte Grand Slam-i i 21-të në karrierën e tij, duke lënë prapa Novak Djokovic-in dhe Roger Federer-in me nga 20.

Kohëve të fundit, Nadal vuajti nga një dëmtim, për të cilin tregoi vështirësitë që përjetoi, pasi që problemi që ka në këmbën e tij, është i pashërueshëm.

Për befasinë e të gjithë tifozëve, spanjolli vuan nga një gjendje e rrallë në shputë që njihet si sindroma Muller-Weiss dhe konsiderohet si një sëmundje e pashërueshme.

Në një intervistë të transmetuar nga “L’Equipe”, Nadal tregoi se as nuk e kishte menduar se do të triumfonte në Melburn.

“Në asnjë mënyrë nuk e mendova triumfin. Mendova se në rastin më të mirë do të ishte e vështirë t’i kthehesha tenisit, pasi që nuk shihej ndonjë përparim pozitiv në atë këmbë, isha shumë i frustruar dhe pata disa momente të tensionuara me ekipin mjekësor”, tha Nadal.

“Zhvilloja biseda me familjen time dhe nuk mund të shihja një rrugë të qëndrueshme për të ndjekur. Por, pak nga pak gjërat filluan të përmirësoheshin, trajtimet filluan të kishin një efekt të vogël”, shtoi spanjolli.

“Ne tashmë e dimë se ajo që kam është e pashërueshme, por të paktën duhej të përpiqeshim të gjenim diçka që do të më lejonte të luaja. Dhe ato tri javë bënë trukun, gjë që më duket e pabesueshme”, ka rrëfyer ai.

35 vjeçari më pas tregoi se pavarësisht problemeve, ai nuk kishte frikë se lëndimi do ta pensiononte nga tenisi.

“Unë jam i apasionuar pas tenisit, por nuk kam pasur kurrë frikë nga pensionimi, sepse kam një jetë mjaft të lumtur jashtë sportit, saqë nuk do të jetë aq traumatike kur të vijë ajo kohë”, tha spanjolli

“Duke thënë këtë, kur shpresoni të vazhdoni dhe të punoni çdo ditë siç kam qenë unë gjatë gjithë këtyre muajve, keni shpresa të ktheheni si një lojtar konkurrues dhe profesionist”, shtoi Rafael Nadal

Fituesi rekord i Grand Slam-eve, shtoi në fund se pavarësisht lëndimeve të tij, ai e sheh vetën ende një konkurrent të fortë në tenis.

“Për mua, padyshim fitorja e turneut ka qenë e pabesueshme, por njëkohësisht e shoh veten ende një konkurrues dhe jam sërish një profesionist i tenisit”.

“Jam në gjendje të garoj me më të mirët në botë, ishte një ndejnë e mirë që ngrita lart trofeun”, deklaroi mes tjerash numri pesë i tenisit në botë.

Kujtojmë që 35 vjeçari Nadal, gjatë karrierës së tij ka fituar 13 herë “French Open”, nga dy herë “Australian Open” dhe “Wimbeldon”, dërisa katër herë doli triumfues edhe në “US Open”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore