Shqipëria

“Na priftë një super 2022-sh me Tiranën si Kryeqytetin Evropian të Rinisë”


Ky 8 Dhjetor ka ardhur ndryshe për të rinjtë e qytetit të Tiranës dhe të gjithë shqiptarët.

Kanë qenë qindra aktivistë, ekspertë, përfaqësues të institucioneve publike dhe jo publike, ministra dhe zëvendësministra, kryetarë bashkie, si dhe djem e vajza gjimnazistë, që kanë festuar Ditën Kombëtare të Rinisë, duke i paraprirë kështu “vitit të rinisë”.

Kryeqyteti i Shqipërisë do të jetë nikoqire e 5 mijë të rinjve nga i gjithë rajoni i Evropës dhe i 1 mijë aktiviteteve rinore.

Në 2022-shin, Tirana do të shndërrohet në qytetin kushtuar “të rinjve”.

Bashkia Tiranë uron Ditën e Rinisë

Në atë që dikur u pa si simbol i ideologjisë komuniste dhe shprehje e fuqisë së regjimit totalitar, Pallatin e Kongreseve, mbi 300 të rinj kanë festuar ditën e tyre.

Drejtoresha e Përgjithshme e promovimit të Qytetit, Mirela Koçollari, ka çelur siparin e festimeve të Ditës së Rinisë.

Ajo u shpreh se Bashka e Tiranës “do të jetë e gatshme për të përqafuar të gjithë idetë dhe nismat tuaja”.

Ndërsa Dafina Peci, drejtoreshë Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar – organizëm “aktiv” i 120 entiteteve rinore në Shqipëri – theksin e vuri te puna paraprake e të rinjve “për të shtruar rrugën e gjatë” të titullit.

“Në këtë mision ne jemi bashkë”, tha ajo, “duhet të jemi forca dhe shembulli i njëri-tjetrit”.

Koordinatorja e Përgjithshme e titullit, Aspasjana Kërxhalli, prezantoi tetë programet ku do të fokusohen aktivitetet e vitit 2022.

“Ne kemi filluar implementimin dhe jemi në fazën përgatitore. Janë 29 veta të zgjedhur që po punojnë çdo ditë për të realizuar aktivitetet e vitit 2022”.

E pranishme ishte dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila tha se 8 dhjetori, “më shumë sesa kujtimi e nderimi i një ngjarjeje”, është një “dedikim dhe investim për të ardhmen”.

“Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë është një mundësi që kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe rinia e Shqipërisë, të kontribuojnë në fuqizimin e vlerave evropiane, në ngjyrat, kulturën, entuziazmin dhe optimizmin e kontinentit tonë të vjetër”.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja për Politikat Rinore e Italisë, Fabiana Dadone, si dhe ministret Mirela Kumbaro dhe Elva Margariti.

Ndërkombëtarët përkrah rinisë shqiptare

Për rininë nuk munguan as mesazhet nga përfaqësuesit e ndërkombëtarëve.

Ministrja italiane për Politikat Rinore, Fabiana Dadone dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, inkurajuan të rinjtë që të luajnë një rol aktiv në shoqëri dhe në ndërtimin e demokracisë shqiptare.

“Tirana e ka fituar këtë titull si Kryeqytet Evropian i Rinisë, sepse ka treguar sa shumë ide të shkëlqyera kanë të rinjtë e Tiranës dhe ndryshimet që mund të sjellin ata”, është shprehur Soreca.

Nuk kanë munguar as videomesazhet nga ambasadori ynë kulturor përtej Adriatikut, Ermal Meta, si dhe futbollisti i kombëtares Sokol Cikalleshi.

Kurse, për Veliajn, “Tirana është gati të marrë stafetën e Kryeqytetit Evropian të Rinisë për vitin 2022”.

“Tirana do të jetë një hapësirë për të gjithë çunat dhe gocat e rajonit, për t’ju thënë se Ballkani i hapur dhe një shtëpi e hapur”, tha ai.

Kryebashkiaku kishte një mesazh edhe për të rinjtë aktivistë të partive politike, që “të lënë pas politikën konfliktuale të viteve ’90”.

Ai i ftoi të bashkohen në aktivitetet e shumta që do të organizohen përgjatë 2022-it

Në përmbyllje, Veliaj ka prezantuar dhe logon që do të shoqërojë aktivitetet rinore përgjatë 2022-shit, nën këtë titull.

Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë

Më 21 nëntor 2019, Tirana mori titullin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022.

Ka qenë ndërveprimi i pushtetit lokal, Bashkisë Tiranë dhe i shoqërisë civile, Kongresi Rinor Kombëtar, dhe organizatave të tjera rinore/për rininë, të cilët kërkuan “me ngulm” të sillnin këtë titull në kryeqytetin e Shqipërisë.

Programi prej tetë pikash do të sjellë një gamë të gjerë aktivitetesh rinore në Shqipëri.

Aspasiana Kërxhalli, delegate e Bashkisë Tiranë në EYE2021, u shpreh se ky aktivitet “na ndihmon që aktivitetet e BE-së t’i sjellim dhe në Tiranë”.

Kjo, në sajë të titullit që Tirana do të mbajë përgjatë vitit 2022.

“EYE 2021 ndërgjegjëson të rinjtë se, grupe të tilla janë mundësi potenciale për krijimin dhe fuqizimin e një network-u të mirë”, u shpreh ajo, ndërsa theksin e vuri dhe te bashkëpunimi me institucionet evropiane.

Ky titull, për Gezkën, i cili ishte pjesë e aplikimit të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, “është mundësi dhe përgjegjësi për strukturat zbatuese, gjatë vitit 2022”.

“E kemi detyrë morale të demonstrojmë qartazi se në ç’nivel është rinia shqiptare. Gjithashtu t’i tregojmë Evropës sa gati është rinia, për të qenë me të drejta të plota, për vlerat e qytetarisë aktive dhe gjithëpërfshirjes sociale”.

Këtë e ka ravijëzuar dhe kreu i qeverisë franceze, Emmanuel Macron, në Amiens, gjatë ceremonisë së Çmimit për Tiranën Kryeqytet i Rinisë.

“Integrimi është proces rritjeje standardesh në fusha të ndryshme të jetës sonë. Të rinjtë duhet të tregojnë brenda vendit të tyre sesi arrihet integrimi i mirëfilltë”, ka cituar Gezka fjalët e Macron-it.

Do të jenë mbi 8 mijë të rinj nga e gjithë Evropa, sipas KRK-së, që do të bëhen pjesë e qindra aktiviteteve në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore