Lajme

Na duhen gjallë heronjtë tanë, thotë Zelensky për luftëtarët azov


Një ditë të vështirë e ka quajtur atë të 82-ë të mbrojtjes ukrainase, presidenti Volodymyr Zelensky, por evakuimin e luftëtarëve azov nga Mariupoli e ka cilësuar si të nevojshëm, pasi heronjtë, i duhen gjallë Ukrainës.

Nëpërmjet një mesazhi në orët e vona të natës, ai foli gjerë e gjatë mbi situatën në qytetin portual jugor, ku rezistencës ukrainase, i erdhi fundi pas dy muajsh rrethimi.

“Falë veprimeve të Ushtrisë ukrainase, Forcave të Armatosura, inteligjencës, grupit negociator, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Kombeve të Bashkuara, shpresojmë se do të jemi në gjendje të shpëtojmë jetën e djemve tanë”, e nisi ai adresimin e mbrëmjes për popullin ukrainas.

Mes ushtarëve, ka ndër ata, të cilët janë të dëmtuar rëndë, shpjegoi Zelensky. Momentalisht, ata po trajtohen në qytetin e Novoazovsk, i cili është nën uzurpimin e rusëve.

“Dua ta ritheksoj: Ukraina ka nevojë për heronjtë e saj gjallë”, vijoi ai.

Sipas kreut të Kievit, ky është principi i tyre dhe çdo person, duhet ta kuptojë këtë gjë.

Ai shtoi se puna do të vijojë më pas me shkëmbimin e pengjeve, në mënyrë që luftëtarët azov të kthehen në shtëpitë e tyre.

Mirëpo, situata është e rënduar në lindje të vendit, ku luftime shumë intensive vijojnë prej javësh, në përpjekje për të fituar apo ruajtur territore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore