Përballje

Mysafirët arrijnë fitore në ndeshjet e hershme, City dhuron spektakël


Janë zhvilluar dy ndeshje në orarin e hershëm si zakonisht në Champions League.

Lokacionet e këtyrë ndeshjeve ishin Belgjika dhe Turqia.

Në Belgjikë, në grupin A, Club Brugge që shkaktoi befasinë në dy ndeshjet e para të këtij grupi, u “shkollua” nga Manchester City.

Klubi anglez e dominoi ndeshjen nga minuta e parë deri te e fundit duke e arritur një fitore të lehtë.

Në pjesën e parë, ata shënuan dy herë, me anë të Cancelo-s dhe Mahrez-it, ky i fundit që shënoi nga penalltia.

Në të dytën, City e vazhdoi rrugën e tyre drejt goleadës.

Fillimisht ishte Walker ai që trefishoi shifrat dhe pastaj i riu Cole Palmer, ai që gjeti golin e parë në Champions për 0-4.

Club Brugge gjeti golin e nderit me anë të Vanaken, por Manchester City nuk u ndal përsëri.

Pak para fundit, Mahrez gjeti golin e dytë, për të vulosur rezultatin përfundimtar 1-5.

Manchester City ngjitet përkohësisht në krye të grupit me gjashtë pikë, në pritje të ndeshjes mes Paris SG dhe Leipzig.

Ndeshja tjetër në Turqi, ishte ajo mes Besiktas-it dhe Sporting-ut.

Kampionët e Portugalisë ishin shumë të fortë për skuadrën nga Stambolli duke arritur fitoren me rezultat të thellë 1-4.

Coates dy herë, Paulinho dhe Sarabia shënuan për Sporting Lisbonën.

Kurse, golin për Besiktas-in e gjeti Larin.

Sporting-u gjen pikët e parët në duelin direkt për vendin e tretë, me ndeshjen mes Dortmund-it dhe Ajax-it që më shumë vlen për liderin e grupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore