Sport

Myrto Uzuni mund të quhet lojtar i La Liga-s


Futbollisti i kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, është pranë arritjes më të madhe në karrierën e tij.

Uzuni gjatë ditës së hënë pritet që të transferohet në La Liga-n spanjolle te skuadra e Granada-s.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat hungareze, të cilët citojnë se transferimi i Uzunit në La Liga, tashmë është çështje e kryer.

Sipas tyre, klubi i Ferencvaros-it dhe ai i Granada-s, kanë arritur marrëveshje që sulmuesi shqiptar të transferohet në Spanjë, për shumën e 3.5 milionë eurove, shumë kjo që e bënë një prej transferimeve më të shtrenjta në historinë e ligës hungareze.

Gjithashtu siç raportojnë mediat në Hungari, Uzuni pritet të nënshkruajë kontratë katër vjeçare me klubin e Granada-s.

Që marrëveshja është e kryer, e vërteton edhe fakti që sulmuesi kuqezi nuk ishte i grumbulluar në ndeshjen e fundit të ekipit të tij, që e fitoi në udhëtim te Ujpest, me rezultat 0:1.

Kujtojmë që 26 vjeçari Uzuni, është pjesë e kampionëve të Hungarisë që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga Lokomotiva e Zagrebit për shumën e 1.8 milionë eurove.

Sulmuesi nga Berati numëron 67 paraqitje në të gjitha garat me ekipin e Ferencvaros-it, prej të cilave ka shënuar 36 gola dhe ka dhuruar 14 asistime.

Ndërkohë, Uzuni numëron edhe 22 paraqitje me kombëtaren kuqezi, prej të cilave ka gjetur rrugën e rrjetës në tre raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore