Lajme

Myanmar përdori avionë të prodhuar nga Rusia në sulme civile, tregon raporti


Ushtria e Myanmarit është akuzuar për përdorimin e avionëve Yak-130 të prodhuar nga Rusia kundër civilëve, pasi kërkon të zhdukë kundërshtimin ndaj sundimit të saj.

Myanmar Witness (Dëshmitari i Myanmarit – AP), një grup me bazë në Londër që mbledh prova të abuzimeve të të drejtave në Myanmar, thotë se ishte në gjendje të verifikonte hetimet me burim të hapur në disa raste, në të cilat raketa të padrejtuara dhe topa 23 mm ishin përdorur në zona të ndërtuara.

“Dëshmitari i Myanmarit ka verifikuar vendosjen e përsëritur të Yak-130 – një avion i sofistikuar, i prodhuar nga Rusia, me dy vende, me aftësi të dokumentuar sulmi tokësor – në Mianmar”, tha Myanmar Witness në raportin e tij, i cili u publikua të premten.

“Gjatë këtij hetimi, raportet e besueshme dhe gjeolokacioni kanë zbuluar përdorimin e Yak-130 brenda zonave të populluara civile”.

Ndër incidentet më të fundit, videoja e shpërndarë në Facebook muajin e kaluar tregoi të paktën një Yak-130 duke kryer dy kalime dhe duke lëshuar disa raketa të drejt tokës. Një video e dytë tregoi një Yak-130 duke kryer të paktën pesë kalime dhe duke gjuajtur rreth 18 raketa të padrejtuara.

Sulmet thuhet se kanë ndodhur në jug të qytezës Myawaddy në shtetin juglindor Karen, ku grupet e armatosura etnike kanë luftuar prej kohësh për autonomi dhe kanë ofruar trajnime dhe mbështetje për milicitë civile të krijuara për të luftuar kundër grushtit të shtetit të shkurtit 2021.

Protestat kundër sundimit ushtarak në Myanmar

Dëshmitari i Myanmarit i gjeti dy videot dhe tha se ato ishin filmuar vetëm 200 metra nga kufiri Tajlandë-Myanmar.

Ai verifikoi gjithashtu një incident në shkurt 2022, kur të paktën një Yak-130 u identifikua duke marrë pjesë në një operacion në perëndim të Loikaw, në shtetin Kayah, gjithashtu në kufirin me Tajlandën në lindje.

“Përdorimi pa dallim i avionëve të sofistikuar sulmues, veçanërisht kur përdoret në koordinim me avionë të tjerë ushtarakë, është në kontrast të plotë me mjetet dhe metodat e përdorura nga ato grupe që shihen si kryengritës nga ushtria e Myanmarit”, thuhet në raport.

Mianmari u zhyt në krizë në shkurt 2021 kur shefi i ushtrisë, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi. Grushti i shtetit shkaktoi protesta masive dhe një shpërthim zemërimi, të cilit ushtria i është përgjigjur me forcë.

Më shumë se 2 mijë njerëz janë vrarë ndërsa gati 700 mijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Rusia është një furnizues thelbësor i armëve dhe pajisjeve për ushtrinë e Myanmarit.

Midis 2015 dhe 2019 Rusia dorëzoi 12 avionë në Myanmar, kur ajo ishte nën një administrim civil, por në dhjetor të vitit të kaluar gjashtë avionë të tjerë u zbuluan në bazën e forcave ajrore Meiktila, tha Dëshmitari i Myanmar.

Në mars, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar futën në listën e zezë zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e sapoemëruar të Forcave Ajrore, lidhur me dhunën në rritje të ushtrisë. Sanksionet shënjestronin gjithashtu ata që sigurojnë dhe furnizojnë me armë forcat ajrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore