Lajme

Myanmar: Lufta midis rebelëve dhe ushtrisë, OKB-ja shpreh shqetësimin


Një grup i vogël protestuesish duke bërë thirrje për një bojkot të sistemit arsimor nën qeverinë ushtarake që rrëzoi udhëheqësen e Myanmar-it Aung San Suu Kyi në qytezën Tarmwe në Yangon, Myanmar, të mërkurën, 10 nëntor 2021.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka shprehur “shqetësimin e tij të thellë” për trazirat në Myanmar dhe bëri thirrje për “ndërprerje të menjëhershme të dhunës”, si dhe përpjekje për të siguruar që civilët të mos dëmtohen.

Sipas raportit ka përleshje mes trupave të juntës dhe luftëtarëve të një grupi të madh militant në shtetin Rakhine.

Këshilli i Sigurimit paralajmëroi se “zhvillimet e fundit paraqesin sfida të veçanta serioze për kthimin vullnetar, të sigurt, dinjitoz dhe të qëndrueshëm të refugjatëve Rohingya dhe personave të zhvendosur brenda vendit”.

Përleshjet, të raportuara nga një zëdhënës rebel, thyen një armëpushim që kishte ruajtur paqen në rajonin perëndimor që nga një grusht shteti në shkurt nga ushtria.

Ish-ambasadori i SHBA-ve dhe Guvernatori Bill Richardson (majtas) takohet me Kryetarin e Këshillit të Administratës Shtetërore, Gjeneralin e Lartë Min Aung Hlaing në Naypyitaw, Myanmar, të martën, 2 nëntor 2021 .

Myanmar-i ka qenë në kaos që atëherë, me një goditje brutale ndaj disidencës dhe luftime të shtuara në tokat kufitare që përfshijnë organizata të armatosura etnike.

Këshilli bëri thirrje për një “shpërndarje të barabartë, të sigurt dhe të papenguar të vaksinave COVID-19”, si dhe “qasje të sigurt dhe të papengesë të ndihmës humanitare për të gjithë njerëzit në nevojë”.

“Ata nënvizuan se vaksinat duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë dhe kërkuan mbështetje më të madhe ndërkombëtare për të siguruar disponueshmërinë e vaksinave COVID-19 dhe për të përshpejtuar përhapjen e tyre”, thuhet në një deklaratë.

Ditë pas grushtit të shtetit të shkurtit, junta ripohoi një angazhim për një armëpushim me Ushtrinë Arakan (AA), e cila ka luftuar një luftë të përgjakshme për autonomi për popullsinë etnike Rakhine të shtetit Rakhine.

Armëpushimi liroi trupat ushtarake për të luftuar “forcat e vetëmbrojtjes” lokale që janë shfaqur në të gjithë vendin në kundërshtim me ushtrinë. Një zëdhënës i AA-së i tha agjencisë së lajmeve franceze “AFP”, të mërkurën, se përleshjet shpërthyen pasi “ushtria e Myanmar-it hyri në zonë. Numri për viktima nuk dihet ende”.

Një grup i vogël protestuesish kundër qeverisë ushtarake që rrëzoi udhëheqësen e Myanmar-it Aung San Suu Kyi në fillim të këtij viti ngrenë duart me gjestin e protestës me tre gishta gjatë një mitingu në qytezën Thaketa në Yangon, Myanmar, të shtunën, 6 nëntor 2021 .
Situata në Myanmar

Pothuajse tetë mijë banorë të një qyteti në Myanmar janë larguar pas luftimeve midis ushtrisë dhe forcave të milicisë kundër grushtit ushtarak.

Një numër shtëpish në Thantlang, shteti Chin, u dogjën nga artileria gjatë luftimeve në fundjavë.

Mendohet se mijëra banorë kanë ikur në Indi përtej kufirit të afërt.

Ndërkohë, viktimat e goditjes të Myanmar-it, pas grushtit të shtetit përfshijnë të gjitha moshat, klasat shoqërore dhe prejardhjet etnike dhe fetare. Ato përfshijnë studentë dhe poetë, infermierë dhe staf të bankës, politikanë dhe punëtorë ndërtimi.

Pothuajse shtatë muaj, pasi ushtria mori pushtetin më 1 shkurt, forcat e sigurisë të Myanmar-it kanë vrarë më shumë se 1 mijë persona në një përpjekje për të shtypur rezistencën, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), një grup aktivistësh që ka gjurmuar arrestimet dhe vdekjet.

Ushtria e Myanmar-it thotë se AAPP është e njëanshme dhe se shumë më pak njerëz janë vrarë.

Nga ana tjetër, të premten e 24 shtatorit një zëdhënës i OKB-së bëri me dije se, asnjë përfaqësues nga Myanmar nuk është planifikuar të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të nivelit të lartë vjetor të OKB.

Njoftimi erdhi mes pretendimeve rivale për ulësen e vendit në OKB në New York pasi grushti ushtarak i shtetit rrëzoi qeverinë e zgjedhur më 1 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore