Bota

Myanmar-i në kaos, pas arrestimit të Suu Kyi


Partia e Aung San Suu Kyi-s, ka bërë thirrje për lirimin e saj të menjëhershëm dhe që rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 të pranohen nga ushtria, e cila mori pushtetin me grusht shteti.

Grushti i shtetit ka provokuar një zemërim në të gjithë botën, por Kina dhe Rusia kanë bllokuar përpjekjet e drejtuara nga britanikët në Këshillin e Sigurimit për të dhënë deklaratë për konsensus.

Në internet shumë njerëz kanë kthyer fotografitë e tyre në të kuqe për të sinjalizuar mbështetjen e tyre për Aung San Suu Kyi, që doli fituese në zgjedhjet e nëntorit.

Të martën disa persona dolën në rrugë duke goditur tenxhere metalike, protestë simbolike kundër ushtrisë. Disa të tjerë ndezën qirinj në ballkonet e tyre.

Mosbindja civile është shfaqur edhe midis mjekëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë të cilët kanë deklaruar se nuk do të punojnë nën sundim të ushtrisë.

Përmes një deklarate, grupi i formuar rishtazi “Lëvizja e Mobsbindjes Shoqërore në Myanmar” tha se ushtria vuri interesat e saj mbi një popullatë që përballej me vështirësi nga pandemia e cila ka vrarë më shumë se 3 mijë e 100 njerëz në vend.

Louis Charbonneau, drejtori i Kombeve të bashkuara për Human Right Watch, ka dënuar heshtjen e këshillit të sigurisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka kërcënuar se do të vendosë sanksione dhe u bëri thirrje qeverive për të bërë presion ndaj ushtrisë që të lirojnë të arrestuarit.

Ushtria e Myanmarit ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75 vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë Ligës Kombëtare për Demokraci, u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Drejtuesit e ushtrisë deklaruan se kanë marrë kontrollin e shtetit. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Myanmar. Pushteti i përkohshëm i ka kaluar gjeneralit Min Aung Hlaing.

Grushti i shtetit në Myanmar ka sjellë reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e shteteve e kanë cilësuar ngjarjen si “goditje e rëndë për demokracinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore