Lajme

MV/ Fatmir Besimi prezanton masat për rimëkëmbje ekonomike


Ministri i financave i Maqedonisë Veriut (MV), Fatmir Besimi, ka prezantuar disa masa që do të ndërmerren për mbështetje dhe rritje ekonomike të vendit.

“Politikat dhe masat që po ndërmerren dhe do të ndërmerren këtë vit nuk do të jenë për mbijetesë, por për ringjalljen e ekonomisë”.

Këto janë masa të grupit të pestë dhe parashikojnë grante për rezultate pozitive në ekonomi, mbështetje për eksportet si dhe rritje aksesi në kredi dhe mjete likuide përmes fondeve.

Ministri thekson se grupi i masave antikrizë janë krijuar duke u bazuar në synime për inkurajimin e bizneseve, aksesin në kapital të kompanive, dhe mbështetjen e aktivitetit të eksportit.

Gjithashtu pjesë e grupit është edhe përmirësimi i konkurrencës, investimet në kapitalin njerëzor, dixhitalizimin dhe investimet në inovacion dhe zhvillim.

Ai është shprehur se në një moment tjetër fokusi do përqendrohet në tre qëllime kryesore që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurimet shoqërore dhe mbështetjene e ekonomisë.

“Politika fiskale është përqendruar në këto fusha, kështu që në buxhetin e vitit 2021 janë ndarë mbi 640 milion euro për shëndetësinë, rreth 1.5 miliardë euro për mbështetjen sociale dhe mbi 1.4 miliardë euro për të mbështetur zhvillimin ekonomik”.

Besimi, shkruan gjithashtu se financat SMART janë koncepti që do të japë rezultate drejt rivitalizimit të ekonomisë, përmes një strategjie gjithëpërfshirëse.

Sipas tij vitin e kaluar, masat e ndërmarra nga ekonomitë ishin të ngjashme dhe kishin për qëllim mbrojtjen e degëve ekonomike që ishin më të ekspozuara ndaj krizës.

Rezultatet e pakove ekonomike

Fatmir Besimi ka treguar edhe rezultatet qw kanw ardhur nga pakot.

“Falë pakove të ndërmarra të masave antikrizë, në tremujorin e tretë të vitit 2020 rënia e BPV-së është zbutur dhe gati pesë herë më e ulët. Gjithashtu, pas rënies së lartë të investimeve bruto me mbi 30% në tremujorin e dytë, në tremujorin e tretë pati një rritje prej 4.2%, për shkak të rritjes së investimeve në ndërtim, si dhe në makineri dhe pajisje. Rënia e konsumit gjithashtu u zbut, kryesisht për shkak të konsumit publik”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore