Lajme

MV/ Arrihet marrëveshja për shtetësinë shqiptare


Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Zoran Zaev, dhe liderët e opozitës shqiptare, Ziadin Sela, Afrim Gashi, pas një takimi të përbashkët të premtën e 16 prillit arritën një marrëveshje lidhur me ligjin e shtetësisë.

Zaev, në një deklaratë për mediat, nuk ka treguar detaje të mëtejshme, pasi liderët opozitarë kërkuan që marrëveshja duhet të paraqitet në letër dhe më pas të informohet populli.

“Ajo për të cilën u morëm vesh është se do ta vëmë në letër, meqë ka edhe formulime juridike. Ndërsa, më pas do t’i bëjmë publike të gjitha detajet edhe për opinionin”.

Kryeministri shtoi se do të fillohet menjëherë të punohet për ligjin.

“Propozuesit do ta përpunojnë ligjin dhe do të na dorëzojnë neve si pushtet ekzekutiv që t’a shohim. Më pas do ta konfirmojmë dhe menjëherë do ta ndajmë me opinionin publik”.

Nga ana tjetër, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha për mediat se janë drejt rrugës së duhur për t’i dhënë fund problemit me shtetësinë.

“Përmes marrëveshjes parashikohet që të gjithë qytetarët që kanë lindur dhe jetuar mbi 30 vjet në RMV të mund të pajisen me shtetësi”.

Sela shtoi se do të rishqyrtohen të gjitha nenet e ligjit dhe nga java e ardhshme do të informohet për detaje të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore