Kultura

Muzeu në Shkodër, vend i dëshmive komuniste


Shqipëria është cilësuar si një ndër vendet më të ashpra komuniste.  Por përpos kësaj të pakta janë vendet ku tmerri i diktaturës komuniste mund të kuptohet sadopak.

Një ndër vendet që na sjell pas në kohë është “ Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”, i konceptuar si një muze përkujtimor në nderim të viktimave të regjimit komunist.

Godina u ndërtua në shekullin e 19-të nga Arsen Idromeno (babai i Kolë Idromenos), i cili e ndërtoi atë si shtëpi private. Me kalimin e viteve godina ka pësuar ndryshime, duke u kthyer fillimisht në një jetimore, pastaj në spital civil.

Diktatura komuniste e konfiskoi objektin, dhe vendosi të krijonte aty në vitin 1946 Degën e Punëve të Brendshme për Shkodrën, që do t’i shërbente një diktature shtypëse e mizore. Për më shumë se katër dekada aty u arrestuan e torturuan plot të burgosur politikë, kundërshtarë të sistemit, që burgoseshin aty deri në pritje të vendimit të gjykatës.

Muzeu

Ky muze u ndërtua si një element i cili do dëshmojë për vuajtjet dhe dhimbjet e të burgosurave. Vizitorët mund të njihen me fotografitë dhe emrat e të dënuarve nga sistemi komunist .Nuk mungojnë objektet e përdorura prej tyre, shënimet apo dhe letërkëmbimet e bëra me familjarët.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet dhe klerikëve të vrarë apo dënuar nga sistemi.

Përmes një tuneli me harqe të kuqe, që simbolikisht përcjell gjakun e të dënuarve, muzeu të shpie drejt qelive të paraburgimit, ku atmosfera është ruajtur e tillë që të mund të përcjellë si duhet ankthin dhe tmerrin që përcillte ai vend deri në vitin 1992. Në muze do të mund të shikoni 23 qeli në katin e parë, dhe 23 qeli të tjera në katin e dytë.

Ky muze është vendi i duhur jo vetëm për të respektuar të gjithë ata që morën dënimin këtu, por edhe për të rikujtuar gabimet e të shkuarës. Asnjë shoqëri nuk mund të përmirësohet, nëse nuk adreson me vërtetësi mëkatet e së shkuarës, të cilat duhen thënë me zë të lartë, për të mos u përsëritur më kurrë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore