Art&dizajn

Muzeu i Arsimit në Korçë hap dyert për vizitorët


Pas dëmtimeve që kishte pësuar nga tërmeti i nëntorit të 2019-s, Muzeu i Arsimit qëndroi i mbyllur për t’i lënë vendin restaurimit, duke bërë të mundur dhe shëtitjen digjitale nëpër historinë e arsimit në gjuhën shqipe, që nisi po aty, në mars të vitit 1887. Objekti i gurtë gjendet në qytetin juglindor të Shqipërisë, në Korçë, ku pati fillesat mësimi në shqip.

Muzeu i Arsimit në Korçë, i njohur si ndërtesa e Shkollës së Parë Shqipe dhe Mësonjëtores, ka rihapur dyert për vizitorë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në ceremoninë e rihapjes së Muzeut të shtunën, tha se ndodhej në Korçë jo vetëm për të prerë një shirit, por edhe për të nderuar një simbol përpjekjeje, dijeje e lirie.

“Bashkë me deputetin dhe ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo, hapëm dyert e Mësonjëtores-Muzeun e Arsimit në Korçë, e restauruar dhe rikonceptuar, e shndërruar në një hapësirë kujtese bashkëkohore”, ka thënë Margariti.

“Një punë fantastike, që ka ndërthurur më së miri vlerat historike me teknologjinë bashkëkohore. Një tjetër arsye për të vizituar. Historia e kësaj ndërtese, që është edhe monument kulture, është e lidhur me fillimet e arsimit në gjuhën shqipe dhe transformimi dhe modernizimi i Mësonjëtores së Parë Shqipe është një vlerë e shtuar për Korçën”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Më 1885, Naim Frashëri si zyrtar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllanë, Sami Frashëri dhe me shqiptarë të tjerë me ndikim ia dolën të siguronin lejen nga Sulltani për hapjen e një shkolle private shqipe për djem në Korçë.

Mbështetja financiare u mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, nga anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri.

Mjedisi ku shkolla u vendos, ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Patrikana e Stambollit refuzoi që të mbahej mësim në gjuhën shqipe në shkollat ekzistuese greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887.

Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë.

Gjatë vitit 1887, Sotirit iu desh ta linte Korçën dhe administrimi i shkollës u kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Autoritetet osmane u dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë që të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët myslimanë që të mund të ndiqnin mësimet.

Vitet e para në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë. Sipas të dhënave, në 1888-n, shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 myslimanë.

Pandeli Sotiri e filloi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore, si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore