Shqipëria

Muzeu Historik Kombëtar, takim me operatorët turistikë mbi problematikat e turizmit kulturor


Muzeu Historik Kombëtar organizoi një tryezë të rrumbullakët me operatorët turistikë në Shqipëri, me qëllim shkëmbimin e mendimeve mbi problematikat që hasen gjatë sezonit turistik në vend dhe strategjitë për rritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ndër të tjera, tha: “E kemi organizuar këtë takim së bashku edhe me Agjencinë e Turizmit dhe Bashkinë e Tiranës pas një periudhe të vështirë për turizmin shqiptar. Tani mendoj se jemi në një moment ku mund të fillojmë të marrim frymë dhe të ringrihemi sërish”.

Ndër të tjera, ai tha që të vendosen kontaktet e duhura, në mënyrë që operatorët të njihen me kalendarin kulturor dhe te guidat turistike dhe ofertat e tyre të përfshihet Muzeu Historik Kombëtar.

“Më 18 maj, ne kemi promovuar edhe audioguidën në anglisht dhe shqip që është edhe një shërbim tjetër, pra një vlerë e shtuar për t’u promovuar në guidat tuaja”, shtoi ai.

Përgjegjëse e marketingut në Bashkinë e Tiranës, Alina Starova, u shpreh: “Uroj që ky sezon të filloj mbarë, t’i afrohemi me sa më shumë pozitivitet dhe të arrijmë të kapim shifra të larta turizmi në Shqipëri”.

Ajo i ftoi të dy palët të ndajnë problematikat, për t’u bërë pjesë të bashkëpunimeve të ndryshme.

“Muzeun Historik Kombëtar duam ta bëjmë pjesë të promovimit brenda dhe jashtë vendit”, theksoi Starova.

Përgjegjësja e Sektorit të Trajtimit të Industrisë së Turizmit në Bashkinë e Tiranës u shpreh se zyrat duhet të japin informacione për turistët, nëpërmjet të cilave turistët të orientohen drejt Muzeut Historik Kombëtar.

“Përveç kësaj, po përgatisim një paketë promocionale në itinerare, ku kemi përfshirë edhe Muzeun Historik Kombëtar edhe muze të tjerë në Tiranë”.

Kemi filluar një punë edhe me rrethinat në disa kala të rëndësishme, si ajo e Petrelës, e Dorëzit, Tyrbenë e Nuses dhe atë të Ndroqit kemi vendosur edhe tabela informuese me informacion historik.

Jemi në vazhdimësi të punës, për të plotësuar të gjitha njësitë administrative që janë 13, me këto tabela të mëdha.

Përveç kësaj, jemi në punë edhe me paketën promocionale, ku do të jetë harta e re me të gjitha rrugët dhe itineraret”, përfundoi ajo.

Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe një pjesë e mirë e operatorëve turistikë që ishin prezent, shfaqën disa problematika të turizmit në Shqipëri, ndër të cilat renditën: promovimin e turizmit pas pandemisë dhe përfshirjen e muzeut në guidat turistike.

Operatorëve turistikë u kërkuan krijimin e hartës së transportit dhe krijimin e hapësirave për parkim për autobusët, përpara muzeve, në qendër të Tiranës, apo përpara siteve arkeologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore