Art&dizajn

Muzeu Historik Kombëtar prezanton ekspozitën “Still life”


“Sill life” titullohet ekspozita personale e artistit Helidon Haliti pas nëntë viteve.

Kjo ekspozitë, e cila u çel në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar më 1 prill, do të qëndrojë e hapur për publikun e gjerë, i cili do të ketë mundësinë që për më shumë se 10 ditë të shijojë artin e mjeshtrit të akuarelit.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij falënderoi duke thënë: “Ne njihemi me Helidonin nëpërmjet shumë ekspozitave, por jo nëpërmjet një ekspozite personale si kjo e sotmja”.

Gjithashtu, Koçi u shpreh se “me këtë ekspozitë, Helidoni përmbush jo vetëm një nga angazhimet profesionale karshi komunitetit artistik, por edhe një nga angazhimet tona për të sjellë ekspozita të tilla, që do të lënë gjurmë në memorien artistike të kryeqytetit”.

Nga ana tjetër, Helidon Haliti, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh mirënjohës për mbështetjen dhe përkrahjen që i ka dhënë Muzeu Historik Kombëtar.

Gjithashtu falënderoi, miqtë e dashamirësit që, pavarësisht kohëve të vështira në të cilat po jetojmë, bënë të mundur të sillte këtë ekspozitë kaq të dashur për të.

Kuratori i ekspozitës, Oltsen Gripshi, është shprehur se ekspozita është e formësuar nga katër elementë thelbësorë, të cilët kanë ndikuar drejtpërdrejt tek artisti.

 

“Si vetëportret ku ai ballafaqohet me veten, ngre një bashkëbisedim/monolog sofist për të njohur dhe kuptuar më mirë se cili është ai vërtet; personazhet F që janë femrat me të cilat ai ka një marrëdhënie të veçantë sikundër është nëna e tij, duke pasuruar njëherazi me tonalitete të ngrohta veprat që ai krijon; personazhe M që janë miqtë dhe lojë luftërash hapësira ku shohim një përmasë tjetër të artistit, që është ajo e një ‘beteje’ të brendshme ndjenjash, zhgënjimesh, ankthesh dhe vegimesh nga e kaluara”, shprehet Gripshi.

Sipas kuratorit, imazhet që ne shohim në këtë ekspozitë vetjake të Helidon Halitit nuk janë gjë tjetër veçse fragmente të jetuara në një ëndërr. Ajo paraqitet te ne nëpërmjet një gjuhe të kodifikuar, me qëllimin e vetëm për të shprehur dhe përcjellë ndjesi personale.

Kush është Helidon Haliti?

Helidon Haliti u lind në Lushnje. Ai do të diplomohej në Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë në vitin 1993. Haliti është artist i çmimeve ndërkombëtare. Ndryshe njihet si “mjeshtër i akuarelit”.

Ai veçohet nga të tjerët si një artist, imazhet e të cilit duken sikur vijnë nga një hapësirë tjetër. Haliti arrin që nëpërmjet veprës së tij, të reflektojë në mënyrën më të mirë të mundshme ndjesitë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore