Shqipëria

Muxhahedinët dhe përplasja me ‘Asila-n’ në Durrës


Muxhahedinët e vendosur në Shqipëri zhvilluan një protestë në Durrës teksa po hapej festivali veror i librit.

Ata kundërshtuan praninë e shoqatës Asila në këtë panair, e cila është nën hetim nga SPAK.

Për MEK-un Asila mbron shtetasit iranianë që dezertojnë nga MEK dhe që financohet nga Republika Islamike e Iranit.

Duke i quajtur ata terroristë të regjimit iranian, muxhahedinët e MEK kërkuan largimin e tyre nga stenda e rezervuar për ta.

Gjatë protestës pati momente tensioni ku nuk munguan as shoqërimet nga ana e Policisë.

Asila është një shoqatë e krijuar nga shtetasi Iranian Hasan Heyrani, ish anëtar i MEK-ut.

SPAK vetëm disa muaj më parë zhvilloi një operacion hetimor ndaj saj.

Sipas tij, ASILA po përgatiste një rrjet agjenturor, ku qëllimi ishte marrja e informacioneve për jetesën e muxhahedinëve që jetojnë në kampin në Mëzez.

Po MEK- u çfarë përfaqëson?

Nëse do të duhet të dish se çfarë përfaqëson MEK-u si organizatë duhet të kesh kujdes se kë pyet.

Disa mund t’ju thonë zëvendësues të Qeverisë iraniane, të cilët ndodhen në mërgim e të tjerët do t’ju pohojnë se janë një kult terrorist.

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian, është krijuar në Iran në vitin 1965 nga një grup studentësh radikalë që ndërthurën marksizmin dhe islamin.

Themeluesit janë tre studentë: Mohammad Hanifnejad, Said Mohsen dhe Ali Asghar Badizadegan. Massoud Rajavi u bë udhëheqësi i lëvizjes vite më vonë dhe do të mbetet i tillë deri në 2003, vit kur humb çdo gjurmë e tija, duke lënë pas misterin.

Anëtarët e MEK-ut ishin ndër të parët që zhvilluan luftën e armatosur kundër Shahut dhe amerikanëve të shumtë të pranishëm në atë kohë në vend. Ata mbështetën gjerësisht sulmin ndaj ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979 dhe kundërshtuan me vendosmëri vendimin për lirimin e pengjeve në vitin 1981.

Ndërmjet viteve 1980 dhe 1981, menjëherë pas revolucionit, ata tërhoqën mbështetje të konsiderueshme publike dhe u shfaqën si opozitë ndaj regjimit të ri teokratik.

Në 1981 Irani përjetoi një sezon politik të terrorit të vërtetë, shënuar si nga spastrimet e regjimit të porsalindur, ashtu edhe nga sulmet dhe atentatet e shënjestruara ndaj Iranit nga muxhahedinët.

Po atë vit, një sulm i MEK-ut fshin liderët e Republikës Islamike: u vranë 70 oficerë, duke përfshirë presidentin e atëhershëm iranian Mohammad-Ali Rajai dhe kryeministrin Mohammad-Javad Bahonar.

Në vitin 1986, Franca e Presidentit Mitterrand dëbon Rajavin dhe MEK-un, të cilët më pas strehohen në Irakun e Sadam Huseinit.

Nga atje, muxhahedinët do të merrnin pjesë në luftë Iran-Irak (1981-1988) në anën e Sadamit Huseinit. Kjo do të jetë një nga arsyet më të forta të humbjes së simpatisë nga ana e popullsisë iraniane për grupin.

Ata ndihmuan regjimin irakian të identifikojë objektivat iraniane për të goditur dhe gjithashtu duke organizuar sulme reale përtej kufirit.

MEK-u mbeti në Irak si mysafirë të Sadamit, i cili u jepte para, armë dhe mjete ushtarake deri në vitin 2003.

Vit ky që përkon me rënien e regjimit.

Ishte pikërisht në vitin 2003 që debati rreth muxhahedinëve  u rindez në Washington.

Pas ndryshimit të regjimit në Bagdad, shumë ligjvënës në administratën e Bushit po bënin thirrje për të pasur të njëjtin trajtim për regjimet në Teheran dhe Damask.

Në nivel politik, zërat u shtuan për heqjen e MEK-ut nga lista amerikane e organizatave terroriste, ku ata ishin vendosur në vitin 1997 nga Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright.

Një synim, ai i heqjes nga lista e organizatave terroriste, të cilin MEK-u ia doli ta arrinte vetëm në vitin 2012 pas një përpjekjeje intensive lobimi nga Maryam Rajavi, gruaja e Masoud Rajav-it.

Lindur me një ideologji marksiste-islamiste, MEK mbetet në fakt si një sekt edhe pse sot publikisht deklaron që pajtohet me vlerat e sekularizmit dhe demokracisë.

Synimi i tyre, pas përmbysjes së regjimit iranian, është krijimi i një qeverie të përkohshme të kryesuar nga Maryam Rajavi, e ndjekur nga zgjedhje të lira.

Por në lidhje me influencën e tyre apo perspektivën  brenda Iranit, Rafat thotë “Që Muxhahedinët nuk kanë ndjekës, pra nuk kanë influencë të konsiderueshme brenda vendit, është fakt. E para sepse deklarohen islamikë dhe iranianët nuk do të deshën kurrë zëvendësimin e një regjimi teokrat me islamista të një lloji tjetër dhe, e dyta sepse në luftën Iran-Irak ata u bashkuan me irakianët”.

Duhet gjithashtu theksuar që modus operandi i MEK-ut mbetet thellësisht autoritar: anëtarët e grupit nuk kanë akses në gazeta, radio apo televizion, askush nuk mund ta kritikojë Rajavin. Po ashtu beqaria është e detyruar.

Organizata të tilla si “Human Rights Watch” kanë dokumentuar gjerësisht abuzimet e të drejtave të njeriut brenda grupit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore