Lajme

Mustafa: Qeveria s’ka ndonjë të arritur, pos lëvdatave që ia thur vetes Kurti


“Qeveria aktuale e Kosovës nuk dallon shumë me qeveritë paraardhëse, derisa ka mungesë të realizmit të projekteve e ngecje të madhe në bashkëpunimin ndërkombëtar”. Madje, për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, qeveria aktuale nuk ka ndonjë të arritur, “përpos lëvdatave që ia thur vetes, zoti Kurti”.

“Kemi po ashtu rezultate të pakëndshme dhe të pamjaftueshme në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera. Tani po ballafaqohemi me inflacionin dhe nuk kemi masa adekuate, të cilat kjo qeveri i ka marrë kundër inflacionit ose në zbutjen e efekteve që çdo ditë po shprehen tek qytetarët, të çmimeve shumë të larta dhe të problemeve të papunësisë”, tha Mustafa në një intervistë për Çim Pekën në Tv Syri.

Ai mendon që Kurti nuk po arrin t’i mbajë premtimet që i kishte dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

“Shoh vetëm mungesë të realizimit të premtimeve, të cilat zoti Kurti ka dhënë gjatë fushatave, por edhe më parë si parti opozitare në krye të Vetëvendosjes”, thotë Mustafa.

Mustafa vuri në pah se edhe projektet që kanë qenë aty, janë më vazhduar nga periudha e kaluar, derisa ai mendon se pushteti vazhdimisht krekoset se ka grumbulluar shumë para në Thesarin e Shtetit, por kjo për ish-kryetarin e LDK-së “nuk është meritë e kësaj qeverie”.

“Kështu shpesh deklarohet ministri i Financave në parlament, apo gjatë arsyetimit të parave, ose mburren me atë se grumbullimi parave është më i madhi seç ka qenë në periudhat e kaluara. Por në asnjë moment nuk tregojnë se grumbullimi i parave në buxhet është edhe rezultat i rritjes së çmimeve, pasi rritet edhe baza e llogaritjes së TVSH-së, baza e përllogaritjes së akcizës dhe detyrimeve të tjera edhe fiskale”, shtoi ai.

Por, kur pyetet pse nuk e pranon një rotacion politik pas 20 viteve në Kosovë, Mustafa mendon se “ky rotacion i cili ka ndodhur nuk po i bën mirë, sepse nuk po arrihet asgjë nga ajo që kanë premtuar edhe zoti Kurti në krye të Vetëvendosjes, edhe zonja Osmani, e cila iu bashkëngjit Vetëvendosjes”.

“Unë nuk po shoh se ato zotime po realizohen, nuk po shoh se po bëhen ndryshime të duhura në fushën e ekonomisë dhe se kemi ndonjë politikë ekonomike e cila nxit zhvillimin ekonomik brenda, e cila e rrit punësimin, e cila rrit stabilitetin ekonomik, e cila rrit besimin e qytetarëve që të qëndrojnë në Kosovë dhe të mos ikin nga Kosova ose nuk kemi ndonjë ndryshim sa i përket shtetit ligjor, sepse gjithë ato që kritikuan në qeverisjet e kaluara sa i përket edhe familjarizmit, edhe punësimit, edhe politizimit të vendeve të punës, po ndodhin edhe sot, bile – bile edhe në mënyrë shumë më konkrete se ç’janë bërë më parë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore